✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

Miku i Vuçiç në listën e zezë të SHBA, ndalohet në Serbi pronari i Alta Bankës

Pronari i Alta Bankës në Serbi, Davor Macura, është ndaluar nga autoritetet nën dyshimin për nxjerrjen e paligjshme të rreth 45 miliardë dinarëve, ose afro 380 milionë eurove, nga kasaforta e institucionit financiar. Bashkë me të janë ndaluar edhe dy punonjës të lartë të bankës, të cilët dyshohet se i kanë mundësuar hyrjen në ambientet e sigurisë, ndonëse ai nuk kishte autorizimin përkatës.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar në Serbi, Macura dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij për të marrë shuma parash nga banka, me ndihmën e dy zyrtarëve të departamentit që administron paratë e gatshme. Hetuesit pretendojnë se punonjësit i kanë dhënë kartelat e hyrjes në kasafortë ose e kanë shoqëruar atë gjatë hyrjes.

Më 31 tetor dhe 1 nëntor, autoritetet kontrolluan ambientet e Alta Bankës dhe banesën e Macurës. Gjatë operacionit u krye edhe numërimi i parave të gatshme në kasafortë. Tre të dyshuarit u ndaluan për 48 orë dhe pritet të dalin para prokurorisë për t’u njohur me akuzat dhe për të dhënë shpjegimet e tyre.

Avokati i Macurës, Isa Spahoviç, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij i është dorëzuar vendimi për ndalim. Ai bëri të ditur se Macura do të paraqitet para prokurorisë, ku do t’i komunikohen hollësitë e çështjes dhe vepra penale për të cilën dyshohet.

Ndalimi i biznesmenit vjen pak ditë pasi Banka Qendrore e Serbisë i hoqi Alta Bankës licencën e veprimtarisë, pas përkeqësimit të gjendjes së saj financiare.

Macura e nisi aktivitetin në vitin 2008 me një këmbimore valutore në Beograd dhe më pas e zgjeroi biznesin në sektorin bankar, shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe tregti. Emri i tij ishte përmendur edhe në tetor, kur kongresisti republikan amerikan Joe Wilson i kërkoi sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, vendosjen e sanksioneve ndaj tij dhe tre biznesmenëve të tjerë serbë, të cilët i cilësoi si të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiçit.

Në letrën e datës 14 tetor, Wilson ngriti pretendime për përfshirjen e Alta Bankës në pastrim parash dhe kërkoi kufizimin e hyrjes së Macurës në SHBA dhe të përdorimit të sistemit financiar amerikan. Banka i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar të pavërteta dhe të pabazuara.

Megjithatë, në kohën kur u bë kërkesa për sanksione, Macura nuk ishte i përfshirë në listën e sanksioneve amerikane. Deri tani nuk ka të dhëna që të provojnë një lidhje mes kërkesës së mëparshme për sanksione dhe ndalimit të tij në Serbi.

Hetimet pritet të sqarojnë se si janë nxjerrë paratë nga kasaforta, çfarë roli kanë pasur dy punonjësit e bankës dhe nëse dyshimet përfshijnë persona të tjerë. Deri në një vendim gjykate, Macura dhe dy zyrtarët e tjerë prezumohen të pafajshëm.

Advertisement