✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Banda shqiptare “pushton” Spanjën, kapen 10 ton drogë me vlerë 145 milionë euro

Autoritetet spanjolle sekuestruan afro 10 tonë kokainë në dy magazina në zonën industriale El Labradorcico, në qytetin bregdetar Águilas. Sipas raportimeve paraprake, magazinat dyshohet se kontrolloheshin nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare.

Zbulimi i ngarkesës erdhi pas një incidenti në magazinë. Një punëtor, gjatë manovrimit me një pirun ngritës, përmbysi aksidentalisht një paletë, nga e cila dolën pako me kokainë. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi, ndërsa autoritetet nisën ndërhyrjen.

Në magazinën e parë, Garda Civile gjeti mbi pesë tonë kokainë të paketuar. Pas marrjes së autorizimit gjyqësor, agjentët kontrolluan edhe një kapanon të dytë, ku zbuluan një tjetër sasi të madhe droge. Në total, sekuestrimi arriti në afro 10 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur nga 130 deri në 145 milionë euro.

Sipas burimeve pranë hetimit, magazinat dyshohet se shërbenin si qendër logjistike për pritjen e kokainës nga Amerika Latine, magazinimin, paketimin dhe më pas transportimin me kamionë drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Veriore.

Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë dhe dokumentacionin e subjekteve që lidhen me magazinat, për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të zbardhur strukturën e rrjetit të dyshuar kriminal. Deri në këtë fazë, lidhja me një organizatë me origjinë shqiptare mbetet pjesë e pistës hetimore dhe jo një fakt i provuar me vendim gjykate.

Advertisement