Aktualitet
Veliaj trembet? Ajola Xoxa kundërshton kontrollin e SPAK, çfarë pritet të ndodhë?
Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa ka kundërshtuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kontrollin e kryer nga Prokuroria e Posaçme në një apartament në “Sky Tower” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Kontrolli është ushtruar më 14 janar në një apartament që ishte përshtatur në magazinë dhe gjatë operacionit u sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike. Urdhri për kontrollin e kryer nga SPAK është dhënë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj. Mësohet se mbrojtja e Xoxës ka argumentuar që ky kontroll të shpallet i paligjshëm.
Po ashtu, agjentët e BKH më 6 dhjetor kryen kontroll në shtëpinë e Veliaj, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg dhe kanë sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK. Familjarët e Veliaj ankimuan kontrolin që u ushtrua nga SPAK, por GJKKO rrëzoi kërkesën e tyre.
Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen e tij për akuzat e ngritura, Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur”.