Connect with us

Bota

Arrestohet për korrupsion kryetari i bashkisë së Stambollit, kundërshtar i Erdogan

Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu është arrestuar nën akuzën e korrupsionit dhe terrorizmit. Sipas informacioneve, janë lëshuar urdhra arresti ndaj shumë personave të tjerë, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, raporton La Repubblica. Akuzat ndaj tyre variojnë nga korrupsioni te terrorizmi.
Imamoglu i Partisë Republikane Popullore (CHP), përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.
Në një video të postuar në X para se të arrestohej nga forcat e rendit, Imamoglu, kryebashkiak në mandatin e tij të dytë dhe një kundërshtar i fortë i presidentit turk Erdogan, tha: “Qindra oficerë policie u shfaqën në derën time dhe hynë në shtëpinë time. Unë kam besim te kombi im. Ne po përballemi me një tirani të madhe. Por dua ta dini se nuk do të dorëzohem”.

Sipas një deklarate të prokurorisë së Stambollit për hetimin e parë, gjithsej 100 persona, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në lidhje me tenderat e caktuar të dhënë nga bashkia. Në hetimin e dytë përfshihet Imamoglu dhe gjashtë të tjerë për ndihmë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet një organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

Ndalimi erdhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit anuloi diplomën e Imamoglut, me pretendimin se është false. Sipas universitetit, diploma përmban “gabime të dukshme”. Diploma nga Universiteti Amerikan Girne (GAU) në Qipron Veriore e lejoi atë të regjistrohej në Universitetin e Stambollit në vitin 1990, por që mund të mos konsiderohet e vlefshme në Turqi.

Marrja e diplomës universitare është një nga kërkesat për të kandiduar për president të Republikës  dhe Imamoglu kishte shpallur tashmë synimin e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Kryebashkiaku i Stambollit e quajti të paligjshëm vendimin e universitetit, duke argumentuar se bordi drejtues nuk kishte të drejtë të anulonte diplomën dhe një vendim i tillë i takonte vetëm  “Bordit të Drejtorëve të Administrimit të Biznesit”, fakultetit ku ai studionte.

“Po afrojnë ditët kur ata që morën këtë vendim do të mbajnë përgjegjësi përpara historisë dhe drejtësisë. Marshi i kombit tonë, i etur për drejtësi, ligj dhe demokraci, nuk mund të ndalet”, shkroi Imamoglu në një mesazh në X pak orë përpara se policia të bastiste shtëpinë e tij.

Advertisement