Shkrime
“Berisha” si shans për Shehaj&Lapaj

Nga Edmond Arizaj
Vendosmëria manjakale e Sali Berishës për të mos e lëshuar fronin e Partisë Demokratike edhe pas 34 vjetësh, dhe humbjeve për 12 vjet me radhë, duke iu lidhur forcës politike si kular rreth qafës pa i lënë mundësi hapjeje, frymëmarrjeje, rinovimi, energjizimi;
pohimi absurd krejt në kundërshtim me çfarë flet për demokracinë se “ai që e nisi do e bitisi”, duke e ndarë përfundimisht se deri në thirrjen e Zotit, ai do të jetë udhëheqësi i PD, sado e vogël të jetë (Rama nga ana e vetë tha: Unë do të iki kur dua vetë), janë një mundësi e artë për vetë “Mundësinë” e Agron Shehajt si e djathtë dhe besoj edhe për “NSHB” të Adriatik Lapajt si në qendër.
Zgjedhjet e 11 Majit treguan se njerëzit reaguan, jo vetëm ndaj keqqeverisjes, por edhe ndaj keqopozitës dhe një pjesë domethënëse, mbi 100 mijë vota shkuan për partitë e reja (fitorja e frikshme e PS bazohet fort në trekëndëshin: opozitë e përçarë-patronazhim-sistem zgjedhor).
Me “Berishën” dhe PD shkrirë në një, duke sjellë përherë e më shumë rrudhje të PD, Shehaj dhe Lapaj duhet t’i lënë mënjanë egoizmat alla shqiptarë dhe të kujtojnë se paqja dhe armëpushimi arrihet mes armiqve dhe jo bashkëpunëtorëve. Pra mund të jenë armiq sa të duan, por politika dhe votat e marra u dikton të bashkëpunojnë.
Me disa veprime të zgjuara mund të nisin përgatitje për të hyrë që pas dy vjetësh në fushën e madhe politike, duke u përpjekur të lënë me Berishën vetëm më “të besuarit që do e ndjekin atë edhe në jetën e përtejme”. Njerëzit, nuk do qajnë hallet e Berishës dhe besnikëve të vjetër të tij. As Shehaj-Lapaj s’kanë pse e bëjnë. Duhet të jenë agresivë duke dalë ata si opozita reale, pavarësisht se sa deputetë kanë.
Nëse PD nuk e kupton se koha po i fluturon duke u kapur pas rrudhave të Doktorit, atëherë më keq për të. Vendi nuk ka taksirat të rikthehet plotësisht në autokraci në mos më keq, për “vendosmërinë” e Berishës për të përmbysur edhe bijtë e etërve, sepse tani jemi në kohën që janë rritur nipërit.

