Shkrime
Zombit përballë Gen Z
Nga Arbër Hitaj
Protesta i tulati dhe hutoi partitë e vjetra. Deri tash çdo gjë ishte në kontroll, asgjë nuk e cenonte bashkëjetesën dypolare, me përjashtim të ndonjë zëri tek-tuk nga partitë e reja!
Por, në një ditë të nxehtë fillim vere, vullkani plasi. Të vërtetat dolën jo në media, por në shesh. Mijëra të rinj, jo thjesht të pakënaqur, mos e ngatërroni, por të revoltuar me padrejtësinë e pabarazinë, kërkuan atë që shumë e mendonin: fund partive përgjegjëse PS dhe PD. Nuk kërkuan fund apo shkrirje, por fund të modelit si funksionojnë! Pa demokraci, me emërime e pakte, shumë herë në dëm të vendit.
Fund pabarazisë, fund injorancës në nivele drejtuese, fund korrupsionit në spitale e kudo, fundin e shumëmerituar.
Ditët e kaluara ishin si i kemi parë, plot e përplot me entuziazëm. Me qytetari. Me dashuri për vendin e humor pikant. A ka më marketing të bukur për Shqipërinë? Një kolegë gazetare italiane po lavdëronte popullin shqiptar, duke e quajtur një popull të zgjuar që nuk sulmon pabarazinë. Edhe pse ajo nuk i di detajet, që nuk është gjithë populli, por është një gjeneratë që po revoltohet.
Përballë kësaj situate kemi dy zombit politikë, PS dhe PD. I janë turrur protestës për ta kafshuar e infektuar. Kane virus të fortë, vdekjeprurës, kura ende nuk është zbuluar. PD ka sulur jeniçerët e vet të rinj, që nuk mendojnë por duan të ruajnë imazhin e kryezombit të tyre. E kanë të kotë. Nga zombi në burrë nuk shndërrohesh dot.
Kryeministri e ka marrë vetë në dorë betejën e infektimit, me bullizimin e tij tipik apo me tallje, e me rëndë akoma, duke nxjerrë biseda private mes miqsh, si me Muç Nanon, në atë që e quan vetë “Mexhlis”. Një kod që kur dikur Veliaj e përdorte kundër disa gazetarëve e kritikoi, por ndërkohë qartazi duket që ai e ka mësuar. Ben Blushi e ka bërë një paralajmërim dikur në parlament për “kupën e verës”!
Zombit janë në aksion, miq. Edhe mund ta fitojnë këtë betejë, por lufta duket e vështirë për t’u fituar. Jeta fiton gjithmonë, pavarësisht se kostoja ka qëne disa breza të djegur.