Kosova
Zgjedhjet në Kosovë prodhuan një rezultat interesant: Të gjithë fituan diçka e askush nuk fitoi mjaftueshëm
Zgjedhjet e 7 qershorit prodhuan një rezultat interesant: të gjithë fituan diçka e askush nuk fitoi mjaftueshëm.
Vetëvendosje fitoi zgjedhjet, por humbi një pjesë të mirë të hegjemonisë së saj politike. Opozita fitoi terren, por jo besimin e nevojshëm për t’u shndërruar në alternativë të padiskutueshme qeverisëse. Ndërkaq qytetari kosovar, përmes mospjesëmarrjes së lartë, lëshoi ndoshta verdiktin më të rëndë ndonjëherë ndaj tërë klasës politike. Prandaj, për këtë arsye, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk duhet lexuar si matematikë parlamentare. Për më tepër, duhet lexuar si simptomë.
Në aspektin numerik, Vetëvendosje mbetet forca më e madhe politike në vend. Por në aspektin politik dhe sociologjik, mesazhi është paksa më kompleks. Për herë të parë pas shumë vitesh, duket qartë se projekti politik i Vetëvendosjes nuk gëzon më atë lloj monopoli moral që e kishte ndërtuar me kujdes sa ishte në opozitë. Kjo medoemos është ndoshta ngjarja më e rëndësishme politike e këtyre zgjedhjeve.
Rënia relative e Vetëvendosjes nuk duhet kuptuar si ndëshkim i një qeverie të vetme, por si hyrje në fazën kur qytetari fillon ta gjykojë performancën kundrejt narrativës. Me fjalë të tjera, politika kosovare po kalon gradualisht nga të qenurit fe tek të qenurit administrim.
Nëse këto zgjedhje na mësuan diçka, ajo është se zhgënjimi ndaj pushtetit nuk përkthehet automatikisht në besim ndaj opozitës.
Qytetari kosovar e ndëshkoi pushtetin pa e shpërblyer opozitën në masën që kjo e fundit do ta dëshironte. Kjo është ajo shenja klasike e asaj që në shkencat politike quhet krizë e përfaqësimit. Kjo është pikërisht pika ku Kosova ndodhet sot.