Connect with us

Aktualitet

Një teatër absurd për të venitur masakrën zgjedhore

Nga Agim Nesho
Nuk është fjala për teatrin transgender në Amerikën Latine, ku u ndanë 5 milionë dollarë nga fondet e USAID-it për të zhvilluar shoqërinë, siç mendojnë dhe besojnë progresistët. Flitet për teatrin absurd shqiptar që kushtoi 5 milionë euro për të treguar se sa afër jemi me integrimin europian, kur qëllimi i Samitit ishin çështjet e sigurisë dhe emigracionit. Teatri absurd shqiptar i Edi Ramës tallet me vlerat e Europës nga shfaqja plot ngjyra e një autokrati, që pasi rrëmben cdo gjë nga vendi i tij, i hoqi edhe të drejtën popullit të tij për të votuar i lirë.

U organizuan disa aktivitete të parashikuara për të treguar vizionin dhe përkushtimin e liderit të “madh” europian Rama, i cili edhe pse shtiret sikur e pëlqen sistemin demokratik europian bashkëpunon me krimin e organizuar për të fuqizuar narkoshtetin shqiptar; kthen vendin në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të Sinaloas, Ndragetas, etj.; tallet me Europën duke ju mësuar se “momenti i ri i unitetit europian dhe paqja” duhet të vijë jo nga sistemi i vlerave por nga dëshira e liderave për të vendosur në situata të vështira gjeopolitike. Teatri absurd i Tiranës tregoi se mund të jesh një satrap dhe të shtypësh popullin tënd, por je i vlefshëm kur je diktator, klientelist dhe i përulur ndaj kërkesave të liderëve europianë, kur gjunjëzohesh përpara Melonit, i hap rrugë rritjes së influencës franceze në projekte që rrisin staturën e Makronit apo të japësh investime preferenciale në territoret shqiptare për ata që mund të justifikojnë pushtetin e tij të korruptuar.

Rama e di mirë që klientelizmi i tij ndaj liderëve europianë nuk do të ketë asnjë efekt në integrimin e Shqipërisë në BE. As Makroni nuk do të jetë në 2030, as Meloni dhe as liderët e tjerë europianë të cilët bëhen pjesë në teatrin absurd të Tiranës, kënaqen nga skenografia plot ngjyra dhe efekte të shfaqjes së Ramës, se janë të përkohshëm në sistemet demokratike të vendeve të tyre. Ajo që mbetet është konsolidimi i pushtetit të tij diktatorial për të realizuar një regjim putinesk të patundur. Kur të vijë 2030-a, Europa do t’i kërkojë Shqipërisë standardet dhe do të vërejë që narko-shteti Shqiptar nuk ka të bëjë me vlerat europiane. Atëherë Rama do të thotë se unë bëra gjithçka, por Europa më refuzoi, duke premtuar shtigje dhe vizione të reja të bashkëpunimit me vendet arabe dhe Lindjen. Dhe Rama këtë perspektivë nuk e fsheh. Sponsorizimi i samitit të investimeve arabe, Institutit të Arabisë Saudite FII në Tiranë, që njihet si “Davosi në shkretëtirë”, ishte sinqeriteti i vetëm i Ramës në teatrin absurd të Tiranës. Fjala e Mohamed Alabbar në Samit, investitorit të preferuar të Lukashenkos, Vuçiç dhe Ramës, ishte esenca e vizionit dhe filozofisë së Ramës: “Perëndimi humbet shumë kohë me demokracinë, luftën politike për alternativa politike, fuqizimin e shoqërisë civile, etj… Mbretëritë arabe kanë efikasitetin të prodhojnë zhvillim. Në ndryshojmë botën duke ndërtuar, ju merreni me klimën, ekosistemet, demokracinë, etj…”

Ideja e lidershipit autoritar na shitet si vizioni për të ardhmen. Në teatrin absurd të Tiranës, Shqipëria ishte ajo që mungonte, pavarësisht se mizanskenat ishin mbushur me historinë e saj. Ajo ishte personalizuar nga diktatori që i ka marrë çdo gjë dhe i ka vrarë shpresën. E vjedhur dhe masakruar në dëshirën e saj për ndryshim dhe bashkim me perëndimin dhe vlerat e tij, populli shqiptar sot po lufton për ekzistencën dhe të ardhmen e tij. Dhe beteja është në mbrojtjen e votës së lirë nga masakra elektorale, që i përjashton shqiptarët për të vendosur për të ardhmen e tyre.

Advertisement