Connect with us

Politike

Kandidatët që humbën dhe kërkuan pamjet/ Reagon Rama: Ua mirëkuptoj mërzinë

Kryeministri Edi Rama, gjatë deklaratës përpara socialistëve, dha edhe një mesazh për të gjithë kandidatët që nuk arritën të fitonin në zgjedhjet e 11 majit.

Ai u shpreh se mandati i katërt i partisë Socialiste është një histori më vete, teksa e kupton mërzinë që kanë të gjithë ata që nuk siguruan një karrige në Parlament.

Rama: Mandati i katërt që sapo kemi marrë është një histori më vete. Nëse në familjen tonë të madhe fitorja matet me numrin e mandateve që morëm, për ne, mandati i katërt duhet të matet me barrën e stërmadhe të një përgjegjësie historike që populli e hodhi mbi supet tona me peshën e plot 83 mandate. Janë 83 gurë në kurriz.

Ky nuk është një mandat i radhës, por një amanet që vjen nga shumë larg dhe që ne patëm fatin të ndodhemi në kohën dhe vendin e duhur dhe kemi privilegjin të na jepet mundësia ta çojmë në vend, duke i kthyer 4 vitet që vijnë në provën më të madhe të karakterit dhe të atdhedashurisë, për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën ku qëndron shtëpia e BE.

Të gjithë ne këtu jemi të parët që duhet t’ia nxjerrim deri në fund të gjithë kuptimin e kësaj prove zjarri dhe t’ia caktojmë vetes si individë, pastaj si skuadër peshat që duhet të mbajmë medoemos atë të karakterit dhe të atdhedashurisë, për ta udhëhequr të gjithë armatën e kësaj beteje për historinë. Duke bërë punën tonë me krenari, me urtësi dhe përkushtim. Të gjitha këto duke i mishëruar me një ndjenje kuptimplotë solidariteti mes nesh.

Dua t’u them atyre që në shtator nuk do kthehen në Parlament që unë ua mirëkuptoj mërzinë për garën individuale. Nuk ka garë individuale që mund ta humbasësh pa u mërzitur, edhe kur luan me fëmijët me top ke një moment mërzie nëse kupton që ti nuk je më ai i pari dhe ata nuk janë më të vegjël dhe ti u munde.

Por i siguroj se nëse do ta shohin humbjen e vendit të punës si një mundësi të re personale dhe profesione në një tjetër vend pune po në shërbim të të njëjta qëllimeve të përbashkëta, si fitues të mandatit historik të 11 majit, jo vetëm do jenë të dobishëm, por do ta pasurojnë karrierën e tyre politike dhe profesionale dhe nëse do të duan të rikthehen në Kuvend të mund të garojnë përsëri në të ardhmen.

Advertisement