Aktualitet
Kështjellë 2.6 mln euro dhe mbi 2 mln euro në llogari/ SPAK: Do sekuestrohen pasuria e Ermal Beiqirit
SPAK ka zbardhur detaje të reja nga hetimi ndaj biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të aferës së AKSHI-t, duke bërë të ditur edhe pasuritë me vlerë miliona euro që ai disponon në Francë.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme deklaron se gjatë hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet franceze janë identifikuar disa asete që dyshohet se kanë origjinë kriminale dhe për të cilat është kërkuar sekuestrimi.
Sipas SPAK, bëhet fjalë për llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin e Oise, e blerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete të tjera motorike.
Për këto pasuri, autoritetet shqiptare i kanë dërguar kërkesë për ndihmë juridike Francës, me qëllim vendosjen e masës së sekuestros, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e aseteve të tjera.
Pjesë nga njoftimi i SPAK:
2 mln euro në llogari bankare, bleu kështjellë 2.6 mln euro, 2 apartamente
“Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankar me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj.
Për këto asete si dhe për të tjera të cilat do të rezultojnë nga hetimet e mëtejshme, i është dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve gjyqësore franceze me qëllim sekuestrimin e tyre.
Më datë 24 korrik 2026, biznesmeni Ermal Beqiri u arrestua nga autoritetet franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme). Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.