Aktualitet
Rama hedh ‘çengelin’: Shqipëria kërkon qasje në programin e riarmatimit të Europës

Nga selia e NATO-s në Bruksel, kryeministri Edi Rama bëri gjatë javës një deklaratë me peshë strategjike, duke shpallur ambicien e Qeverisë shqiptare për të hyrë në SAFE – programin e sigurisë dhe mbrojtjes së Bashkimit Evropian. Kjo e fundit, për herë të parë hap mundësi financimi për vendet jashtë BE-së, përfshirë aleatët e NATO-s.
“Jemi këtu gjithashtu që të diskutojmë së bashku se si mund të kemi qasje në programin SAFE të Bashkimit Evropian, i cili përtej perimetrit të vendeve të BE-së, mund të jetë përfitues edhe për vendet e NATO-s në Evropë”, tha Rama në fjalën e tij para takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Vendet e BE-së miratuan zyrtarisht në fund të muajit maj një program të ri kredie prej 150 miliardë eurosh për të ndihmuar në riarmatosjen përballë Rusisë. Skema e huamarrjes së Veprimit të Sigurisë për Evropën (SAFE) e mbështetur nga buxheti qendror i BE-së u propozua nga Brukseli në mars, ndërsa blloku nxiton të forcojë mbrojtjen e tij. Kreditë do të disbursohen deri në fund të vitit 2030 dhe do të paguhen gjatë 45 viteve.
Shtetet anëtare të BE-së duhet të aplikojnë zyrtarisht për kredi deri më 30 nëntor 2025, duke përcaktuar se si synojnë t’i përdorin paratë në të ashtuquajturin Plan Kombëtar të Investimeve në Mbrojtje. Në mesin e investimeve të shteteve anëtare, kjo lëvizje e fundit e Brukselit mund të kthehet edhe në dobi të prodhuesve të mbrojtjes për vendet që nuk janë pjesë e BE-së, si Shqipëria. Mbrojtja shqiptare po e konsideron deklaratën e nënshkruar me Kroacinë dhe Kosovën si një “çengel” që Shqipëria të bëhet pjesë e SAFE-it, ka mësuar Albanian Post.
“Ajo marrëveshje na ndihmon shumë”, pranon një zyrtar shqiptar me dijeni për situatën.
Bëhet fjalë specifikisht për pikën e parë të deklaratës tripalëshe lidhur me “bashkëpunimin për industrinë përkatëse”. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:
Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake; Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes; Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Më në detaje
Programi i huamarrjes është pjesë e një pakete masash që përfshin zbutjen e rregullave të buxhetit, të cilat Brukseli thotë se mund të zhbllokojnë potencialisht 800 miliardë euro shpenzime për mbrojtjen.
“Vendet e EEA/EFTA dhe Ukraina mund të marrin pjesë në prokurimet e përbashkëta së bashku me Shtetet Anëtare, por ato nuk do të mund të marrin kredi”, shpjegon fillimisht për Albanian Post, Thomas Regnier, zëdhënës i BE-së për Mbrojtjen.
Sipas tij, SAFE do të lejojë gjithashtu vendet që do të anëtarësohen, vendet kandidate, kandidatët potencialë dhe vendet që kanë nënshkruar një Partneritet për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në “të bashkohen me prokurimet e përbashkëta dhe të kontribuojnë në kërkesën e përgjithshme”.
“Ata gjithashtu mund të negociojnë marrëveshje specifike, me përfitim reciprok për pjesëmarrjen e industrive të tyre përkatëse në prokurime të tilla”, thekson zyrtari i BE-së për AP-në.
Rijetëzimi i industrisë ushtarake në Shqipëri përfshin dy fusha të përmendura në propozimin e BE-së, si municionet dhe dronët, duke lënë të hapur mundësinë për kompanitë prestigjoze të mbrojtjes që të investojnë në vendin tonë, mëson Albanian Post.
Vende të tjera të treta mund të marrin pjesë gjithashtu nëse kanë një Partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes me BE-në. Një të tillë, autoritetet shqiptare e nënshkruan në fund të vitit të kaluar duke rinovuar “partneritetin strategjik” të sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian, në prani të kryediplomates evropiane Kaja Kallas.

