Connect with us

Politike

Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!

Nga Arian Galdini
Rasti Balluku duhet lexuar në atë lartësi ku episodet pushojnë së qenuri thjesht episode dhe bëhen prova karakteri për një rend të tërë.
Jo si grindje teknike mbi një procedurë.
Jo si zhurmë e një seance.
Jo si krizë e një emri.
Shqipëria pa këto ditë pikërisht çastin kur një qeverisje zbulohet vërtet, çastin kur ligji i afrohet pragut të saj.
Deri atëherë, fjala vishet bukur, reforma shpallet me ton solemn, shteti ligjor përdoret si stoli morale për konsum të brendshëm dhe ndërkombëtar.
Sapo prekja bëhet reale, dekori bie dhe instinkti i vetëmbrojtjes del më i sinqertë se çdo fjalim.
Me këtë rast, Edi Rama rrëzoi vetë pretendimin se mund të jetë njëherësh edhe mbrojtësi i reformës në drejtësi, edhe kufiri i saj i fundit.
Këto dy role nuk bashkëjetojnë.
Njeriu që e lëvdon drejtësinë në ditët e saj të sigurta, por i vë gardh sapo ajo afrohet te rrethi i vet, nuk mbron parimin.
Mbron afërsinë.
Nuk ruan standardin.
Menaxhon frikën.
Ajo që u pa këtu nuk mbaron te Shqipëria, as te kjo shumicë, as te ky parlament.
Ajo zbulon një ligj më të vjetër të pushtetit, rendin e do për sa kohë e mbron; sapo rendi i afrohet, kërkon përjashtim.
Aty fillon degradimi i vërtetë.
Jo kur ligji shkelet me britmë, por kur ruhet si gjuhë dhe kufizohet si veprim.
Jo kur pushteti e mohon normën, por kur e pranon me buzë dhe e frenon me dorë.
Për këtë arsye, prova e vërtetë e një rendi nuk ndodh aty ku ligji zbret mbi të pambrojturin.
Aty çdo shtet di të bëjë forcën.
Afati i skadon atij që s’ka mbështetje.
Gjoba i vjen atij që s’ka krah.
Procedura i bie atij që s’ka strehë.
Prova fillon vetëm kur dora ngrihet lart, jo poshtë.
Aty shihet nëse kemi përpara republikë apo vetëm dekor institucional.
Republika fillon atje ku ligji depersonalizohet.
Atje ku emri, posti, dobia e djeshme, afërsia politike dhe besnikëria partiake nuk vlejnë si monedhë shpëtimi.
Fisi fillon atje ku rrethi mbyllet, ku shumica bëhet mur, ku procedura përdoret si kohë e blerë dhe ku privilegji vishet me gjuhë institucionale.
Kjo është ndarja themelore, republika pyet çfarë kërkon ligji, fisi pyet kë po prek ai.
Një parlament i vënë në shërbim të kësaj logjike ulet si zgjatim i oborrit, dhe aty institucioni pushon së qenë masë e bëhet strehë.
Kjo nuk është vetëm çështje karakteri personal.
Është edhe pasojë e një strukture të njohur në shoqëritë ku pushteti përjetohet si zotërim i rrethit dhe jo si barrë e standardit.
Kur lidhjet ndërmjetëse dobësohen, kur parlamenti humbet pavarësinë e vet morale, kur besnikëria personale zë vendin e normës, mbrojtja e të fortit fillon të duket më e natyrshme se zbatimi i ligjit.
Në një rend të tillë, shumica nuk e ndien veten nën detyrimin për ta lënë normën të ecë; e ndien veten nën detyrimin për të mbrojtur trupin prej të cilit jeton.
Dëmi, prandaj, nuk ndalet te procedura.
Ai prek mënyrën si një shoqëri e kupton veten.
Qytetari sheh se barazia është gjuhë e katit të sipërm, ndërsa poshtë vepron hierarkia e prekshmërisë, ku disa preken menjëherë dhe disa vetëm kur pushojnë së qeni të dobishëm.
Kështu cinizmi hyn në ajrin e përditshëm, jo si doktrinë e shpallur, por si klimë e thithur ngadalë, derisa institucioni pushon së dukuri si rend i përbashkët.
Atëherë nuk humbet vetëm besimi te një qeveri.
Humbet siguria se fjala “ligj” do të thotë të njëjtën gjë për të fortin dhe për të dobëtin.
Humbet arsyeja që njeriu të mos bëhet vetë cinik.
Një burrë e ndoqi votimin nga telefoni, mes dy punëve të ditës.
Nuk u habit. Kjo është pjesa më e rëndë.
Nuk pa një të papritur, pa të konfirmohej ajo që e mbante pezull prej kohësh brenda vetes.
Kur mbaroi seanca, fjala “ligj” nuk i tingëllonte më si diçka që mbërrin në të njëjtën mënyrë te i forti dhe te i dobëti.
Turpi është kufiri i fundit i republikës.
Një rend që nuk turpërohet më nga përjashtimi që i jep të fortit ka hyrë në fazën ku kalbëzimi nuk është aksident, por metodë vetëmbrojtjeje.
Në atë çast, shteti nuk dëmton vetëm drejtësinë.
Dëmton atë që është njëherësh më e brishtë dhe më vendimtare, arsyen e njeriut për të besuar se e vërteta publike ka ende kuptim.
Edhe udhëheqja provohet vetëm këtu.
Burri i shtetit e di se institucioni duhet të qëndrojë më lart se afërsia e vet.
Ai e di se nganjëherë çmimi i standardit bie mbi njerëzit e tij dhe prapë nuk e prek timonin e ligjit.
Pikërisht aty matet shtatësia morale e udhëheqjes.
Udhëheqësi i vërtetë humb njerëz, nuk humb masën.
Menaxheri i aparatit mendon ndryshe, standardi vlen derisa të prekë të vetët. Pastaj flet interesi.
Në rastin Balluku kjo u pa me qartësi të plotë.
Këtu nuk foli udhëheqësi që pranon barrën e standardit.
Foli aparati që e mbyll kufirin sapo drejtësia afrohet.
Për këtë arsye, Perëndimi e Perëndimorizmi nuk matet me gjuhën e fjalimeve, as me koreografinë e samiteve.
Matet atje ku më i forti nuk përjashtohet dhe ku barazia para ligjit nuk çahet, sepse aty ku këto bien, ndarja e pushteteve kthehet në strehë private për pushtetin, moderniteti në dekor dhe republika në emër.
Këtu mbaron iluzioni moral.
Kur bie një pretendim i tillë, mbetet vetëm radhitja e zhveshur, kush mbrohet, kush preket, kush vendos renditjen.
Ai burrë me telefon nuk do ta dijë kurrë emrin e gjykatësit, nuk do të bëjë ankesë, nuk do të mbajë mbledhje.
Por diçka vendosi atë ditë, heshtazi, të mos presë nga ligji atë që ligji nuk ia jep të barabartë.
Ky vendim, i padukshëm, i shumëzuar, i heshtur.
Aty mbaron republika si besim.
Aty nis frika si rend.
Arian Galdini
Advertisement