Connect with us

Kronike

Mes dhimbjes dhe lotësh, familjarët përcjellin për në banesën e fundit 12-vjeçarin

Dy vogëlushët që humbën jetën në aksidentin tragjik të ditës së djeshme në Durrës, po përcillen për në banesën e fundit. Pamjet e shfaqura përmes fotos, tregojnë momente pikëllimi, dhimbje të pafund dhe lotësh.

Familjarët zemërthyer, të afërmit, bashkëmoshatarët dhe qytetarët e shumtë po i japin lamtumirën e fundit Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç. Me lule e kurora në duar, familjarë ndjekin të përlotur makinën e funeralit.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022.

Advertisement