Politike
“Po ata idiotët shqiptarë çfarë thonë?”/ Këlliçi i kërkon llogari ministrit Hoxha
Deputeti i opozitës Belind Këlliçi ka rikthyer në vëmendje në Kuvend akuzat ndaj Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me një komunikim të brendshëm me ambasadorët shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij, Këlliçi deklaroi se një javë më parë kishte publikuar mesazhe ku, sipas tij, ministri etiketon shqiptarët në Maqedoninë e Veriut si “idiotë”.
Ai theksoi se, pas reagimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme që i cilësoi mesazhet si fabrikime, u detyrua të publikojë pjesë të tjera të komunikimeve për të provuar autenticitetin e tyre, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një grup zyrtar ku jepen direktiva për politikën e jashtme.
“Një javë më parë personalisht kam publikuar disa mesazhe të ministrit të Jashtëm në grupin e ambasadorëve të Shqipërisë në botë, ku ministri i Jashtëm etiketon bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut si ‘idiotë’. Dhe shprehja tekstualisht është: Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë? Menjëherë pasi kam bërë publike këto mesazhe ka pasur një reagim të Ministrisë së Jashtme që ka reaguar dhe ka thënë që janë fabrikime.
Më pas jam detyruar që të nxjerr bisedimet nga grupi i ambasadorëve dhe nuk u kam nxjerrë komunikime private, këtu nuk flitet për piknik apo për orar dreke. Është grupi ku jepen direktivat për politikën e jashtme drejtuar të gjitha ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë nëpër botë”, tha Këlliçi.