Kosova
Eurodeputeti austriak: Kosova meriton të jetë kandidate kryesore për antarësim në Bashkimin Europian
Eurodeputeti austriak Thomas Waitz ka deklaruar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në proceset zgjedhore, dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet ndër kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimi Evropian.
“Nëse Kosova do të ishte një aplikuese e zakonshme për Bashkimin Evropian, do të ishte ndër vendet kryesuese. Ende ka reforma për t’u bërë dhe përmirësime për t’u parë, por vendi do të ishte në një pozitë të mirë. Arsyeja pse nuk është kështu lidhet me faktin se Kosova ende nuk njihet nga Serbia dhe vazhdon të bllokohet në rrugën e saj. Kjo është një çështje ku pajtohem me kolegët, sepse elita politike nuk është e gatshme për kompromis”, tha ai.
Waitz ka lavdëruar edhe procesin zgjedhor në Kosovë.
“Kosova është një vend që ka një kushtetutë shumë të afërt me kushtetutat evropiane.
Është një vend që ka dhënë shembull se si organizohen zgjedhjet në rajon, dhe edhe aty ku ka pasur dyshime, janë bërë rinumërime të rregullta. Disa vende të rajonit mund të mësojnë nga ky shembull”.
Pavarësisht këtij avancimi, ai ka theksuar se në luftën kundër korrupsionit, ashtu si edhe vendet e tjera, Kosova vazhdon të përballet me sfida.
“Kosova është në një rrugë të mirë sa i përket luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, kjo është një betejë e vazhdueshme, siç ndodh edhe në të gjitha shtetet tona anëtare”, u shpreh ai.
Sipas eurodeputetit, nëse Kosova do të trajtohej si një aplikuese e zakonshme për anëtarësim në BE, ajo do të renditej ndër vendet më të avancuara.
Duke folur për zgjedhjet në Kosovë, ai bëri thirrje që rezultati të respektohet, pasi sipas tij, dy palë zgjedhje kanë treguar një fitues të qartë dhe kjo duhet të pranohet.