Shkrime
Mjegulla e luftës/ Shumë shpejt algoritmet do vendosin për jetën, vdekjen dhe fitimtarin
Për dy shekuj, inovacioni ushtarak ka kërkuar të zhdukë atë që strategët e quajnë “mjegulla e luftës – pasigurinë, mungesën e informacionit dhe kaosin që shoqëron çdo fushëbetejë.
Sot, Inteligjenca Artificiale po premton ta bëjë këtë më mirë se çdo teknologji më parë: duke zëvendësuar intuitën njerëzore me përpunim masiv të të dhënave, analiza të menjëhershme dhe vendimmarrje me shpejtësi të paprecedentë.
Në teori, avantazhet janë të qarta. Sistemet me Al mund të dërgojnë makina në zonat më të rrezikshme para ushtarëve, të përpunojnë sasi gjigante informacioni nga sensorë dhe satelitë, si dhe të koordinojnë sisteme komplekse të mbrojtjes ajrore për të ndalur raketa balistike në kohë reale.
Por realiteti i luftës moderne po tregon një anë tjetër të kësaj teknologjie: Al nuk po e zhduk mjegullën e luftës po krijon një mjegull të re, më të rrezikshme, të ndërtuar jo mbi mungesën e informacionit, por mbi tepricën e tij.
Tre frontet kryesore të luftës moderne – Ukraina, Gaza dhe Irani – po shërbejnë si laboratorë të gjallë të luftës së drejtuar nga algoritmet.
Në Ukrainë, Inteligjenca Artificiale ka rritur ndjeshëm efektivitetin e dronëve, duke përmirësuar aftësinë për të identifikuar dhe goditur objektiva në një luftë rraskapitëse mbrojtëse.
Në Lindjen e Mesme, Izraeli ka përdorur sisteme të integruara komanduese të mbështetura nga Al për të koordinuar interceptimet e raketave në kohë reale, duke lidhur sistemet amerikane si THAAD me platformat izraelite dhe anijet Aegis Combat System.
Ndërkohë, SHBA-të kanë përdorur për herë të parë në luftime dronin LUCAS gjatë operacionit Epic Fury, një sistem që përdor njohje vizuale të objekteve në vend të koordinatave fikse satelitore.
Megjithatë, përdorimi i Al në luftë po ngre shqetësime serioze.
Një nga rastet më të diskutuara është sistemi izraelit Lavender, i cili përdori analiza probabilistike për të identifikuar mijëra objektiva të mundshëm palestinezë bazuar në të dhëna survejimi.
Problemi? Sistemi kishte vështirësi të dallonte objektivat ushtarake nga civilët.
Raportet tregojnë se analistët njerëzorë kishin mesatarisht vetëm 20 sekonda për të verifikuar një objektiv një kohë që ekspertët e konsiderojnë të pamjaftueshme për vendime që mund të përfundojnë me humbje jetësh,
Një tjetër sistem paralel, Gospel, gjeneroi rreth 200 rekomandime për objektiva infrastrukturore në më pak se dy javë – një ritëm që më parë do të kërkonte muaj ose vite analizash njerëzore.
Ky është thelbi i problemit: Al po kompreson ciklin e identifikimit, analizës dhe sulmit deri në atë pikë sa mbikëqyrja njerëzore mbetet formalisht aty, por praktikisht bosh.
Në vend që njeriu të marrë vendimin, ai po kthehet në një firmë mbi vendimin e makinës.
Kjo krijon një krizë përgjegjësie. Në luftërat tradicionale, zinxhiri i komandës ishte i qartë. Me Al, përgjegjësia shpërndahet mes zhvilluesve të softuerit, inxhinierëve të të dhënave, zyrtarëve të prokurimit, operatorëve dhe komandantëve, derisa bëhet e paqartë se kush mban barrën ligjore dhe morale për një gabim fatal.
Në këtë vakuum global, Evropa po shihet si aktori që mund të vendosë standarde.
Bashkimi Evropian ka nisur ndërtimin e bazës së saj teknologjike ushtarake përmes nismave si BraveTech EU dhe planit të sigurisë për dronët dhe antidronët për vitin 2026.
Por ekspertët argumentojnë se Evropa duhet të bëjë më shumë se sa të ndjekë ritmin e militarizimit teknologjik.
Avantazhi i saj mund të jetë krijimi i rregullave të forta ligjore, kufijve etikë dhe mekanizmave realë të kontrollit njerëzor përpara se teknologjia të vendoset në fushëbetejë.
Sepse pyetja nuk është më nëse Al do të bëhet pjesë e luftës.
Pyetja është: kush do të vendosë kufijtë e saj dhe a do të jetë tepër vonë kur kjo të ndodhë?
