Connect with us

Aktualitet

Mori 3 mijë euro për të “shpëtuar” një “kriminel”/ Ish-oficeri i policisë dënohet për ryshfet

Është shpallur sot vendimi për çështjen penale ndaj ish-oficerit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë, Dibër, Shuip Cami, i cili akuzohej se në bashkëpunim me 3 të tjerë ka favorizuar autorin e një plagosje në Dibër, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.

Burime për mediat bëjnë me dije se Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, e cila vendosi dënim me 2 vite burgim për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të drejtësisë”, si dhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare, për Shuip Camin.

Ndërsa për njërin prej të pandehurve në të njëjtën çështje, për Fluturim Bajramin, Apeli ndryshoi pjesërisht duke e shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Bajrami u dënua me 1 vit e 3 muaj burgim, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu ul në 10 muaj burg.

Në qershorin e 2025, SPAK bëri me dije se në qendër të hetimeve që nisën në vitin 2022 është një rast i korrupsionit të dyshuar brenda strukturave të drejtësisë në Dibër, i lidhur me një ngjarje të rëndë kriminale që ndodhi më 9 janar 2020 në qytetin e Peshkopisë.

Shuip Cami, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë, Dibër (njëkohësisht oficeri që ka kryer veprimet e para dhe ka referuar çështjen penale në Prokurori), i ka kërkuar dhe marrë të pandehurit, Flamur Kurti (i njohur i shtetasit Adrian Shahi) shumën monetare prej 3,000 (tre mijë) euro në këmbim të premtimit të dhënë për favorizimin e pozitës procedurale të shtetasit, Adrian Shahi në çështjen penale në ngarkim të këtij të fundit, konkretisht procedimit penal nr.9/2020 të Prokurorisë, Dibër.

Për të pandehurin, Fluturim Bajrami (lidhje krushqie e shtetasit Adrian Shahi) rezulton e provuar se i ka dhënë të ndjerit, Qemal Vranezi, në cilësinë e Specialistit të Policisë, SPZ pranë Komisariatit të Policisë, Dibër, shumën prej 2000 eurosh në mënyrë, që të bëhej i mundur pajtimi mes Adrian Shahut dhe Bukurosh Zagradit, duke u favorizuar në këtë mënyrë autorin e ngjarjes.

Advertisement