Politike
Eric Wendt përballet me Senatin, nis rruga drejt ambasadës në Tiranë
I nominuari i Shteteve të Bashkuara për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt, do t’i nënshtrohet të mërkurën një seance dëgjimore përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në kuadër të procesit të konfirmimit të tij si ambasador në Tiranë.
Seanca është planifikuar të mbahet më 20 maj në orën 10:00 (lokale) në Senat, ku Wendt do të paraqitet përkrah katër kandidatëve të tjerë të nominuar për poste diplomatike dhe drejtuese në Departamentin amerikan të Shtetit.
Dëgjesa konsiderohet një hap procedural, por edhe politik, ku senatorët pritet të testojnë prioritetet, përvojën dhe vizionin e kandidatit për marrëdhëniet mes Washington-it dhe Tiranës, si dhe sfidat e sigurisë dhe demokracisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Një nga elementët kyç të profilit të tij është përvoja në NATO. Si komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të aleancës, Wendt ka drejtuar forcat speciale të vendeve anëtare, përfshirë edhe njësitë shqiptare, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me drejtues ushtarakë dhe struktura në Shqipëri.
Ai ka shërbyer gjithashtu në Afganistan si zëvendës komandant rajonal në operacione ku ishin të përfshira edhe trupa shqiptare, ndërsa ka mbajtur role diplomatike pranë Departamentit amerikan të Shtetit, përfshirë një angazhim dyvjeçar në Ambasadën amerikane në Jerusalem dhe drejtimin e një koalicioni prej tetë vendesh për koordinimin e sigurisë mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.
Aktualisht, Wendt shërben si profesor i komandës dhe lidershipit në Shkollën Pasuniversitare Detare në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjuhët arabe dhe koreane dhe është dekoruar me disa nga medaljet më të larta të mbrojtjes amerikane.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, kombinimi i përvojës ushtarake, ekspertizës rajonale dhe aftësive drejtuese e pozicionon Wendt si një kandidat të fortë për të përfaqësuar interesat amerikane në Shqipëri.