Aktualitet
KUJDES! Çfarë fshihet? Fshesa korenti dhuratë në këmbim të kartës së ID
Një tjetër skemë mashtrimi është denoncuar së fundmi nga qytetarë të shumtë të qarkut të Korçës. Në redaksinë tonë kanë mbërritur dhjetëra denoncime, sipas të cilave persona të paidentifikuar u trokasin qytetarëve në rrethin e Devollit, duke iu prezantuar si shitës të produkteve elektroshtëpiake. Ata u thonë qytetarëve se kanë për t’u dorëzuar një fshesë me korrent, pasi dikush tjetër ua ka blerë si dhuratë.
Më pas, këta persona u kërkojnë qytetarëve të firmosin disa dokumenta dhe më pas u kërkojnë edhe kartën e identitetit. Megjithatë, e gjithë kjo skemë dyshohet se është mashtrim, ndërsa ende nuk dihet se çfarë skenarësh të errët fshihen pas saj.
Lidhur me këto denoncime, Newsbomb i është drejtuar Policisë së qarkut Korçë për më tepër detaje, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është marrë asnjë reagim zyrtar.
Priten më shumë detaje në vijim, ndërkohë që ky artikull synon të paralajmërojmë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm, si dhe të nxisë institucionet shtetërore të reagojnë për zbardhjen e kësaj skeme mashtrimi, identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë.