Connect with us

Aktualitet

Revista evropiane e mbrojtjes: Shqipëria po shndërrohet në një aktor kyç të sigurisë në Ballkan

Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj si një nga shtetet më të orientuara drejt Perëndimit në Evropë, duke avancuar modernizimin ushtarak, integrimin me NATO-n dhe bashkëpunimin rajonal të sigurisë, në një kohë kur tensionet në Ballkanin Perëndimor mbeten të larta.

Ky është vlerësimi i një analize të publikuar në revistën prestigjioze evropiane të mbrojtjes European Security & Defence (ESD), ku autori William Glynn e përshkruan Shqipërinë si një shtet “qartësisht pro-perëndimor”, që po investon në mbrojtje dhe po pozicionohet si faktor stabiliteti në një rajon të karakterizuar nga pasiguria strategjike.

Në analizën me titull “Defence Modernisation and Alliance Integration”, Glynn argumenton se Tirana gëzon një nga nivelet më të larta të mbështetjes publike për NATO-n dhe integrimin euro-atlantik në të gjithë Evropën.

“Rreth nëntë në dhjetë qytetarë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe vazhdimin e anëtarësimit në NATO”, shkruan autori, duke iu referuar të dhënave të sondazhit të NATO Audience Research për vitin 2025.

Sipas analizës, 91% e shqiptarëve do të votonin për të qëndruar në NATO nëse do të mbahej një referendum, ndërsa 69% mbështesin rritjen e shpenzimeve ushtarake – ndjeshëm mbi mesataren e Aleancës.

Modernizimi ushtarak dhe NATO

Një pjesë e konsiderueshme e analizës fokusohet te modernizimi i forcave të armatosura shqiptare dhe orientimi i tyre drejt standardeve të NATO-s.

Sipas Glynn, Shqipëria ka zgjedhur të investojë jo në sisteme të rënda luftarake, por në forca të shpejta, inteligjencë, mbrojtje kibernetike dhe monitorim territorial.

Në këtë kuadër, autori veçon modernizimin e kapaciteteve detare, përfshirë blerjen e anijes patrulluese italiane të klasit Cassiopea, përmirësimin e radarëve bregdetarë dhe rritjen e mbikëqyrjes detare në Adriatik.

Një tjetër element kyç, sipas analizës, është baza ajrore e Kuçovës, e cila po transformohet me mbështetjen e NATO-s në një qendër operative të avancuar për mbështetjen e operacioneve ajrore të Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

“Përmirësimet e financuara nga NATO në bazën ajrore të Kuçovës po e shndërrojnë atë në një qendër operative të avancuar të aftë për të mbështetur misione të policimit ajror dhe përforcime të shpejta të Aleancës”, shkruan Glynn.

Autori ndalet gjithashtu te modernizimi i Forcës Ajrore shqiptare, duke përmendur blerjen e helikopterëve Black Hawk nga Shtetet e Bashkuara dhe orientimin e Tiranës drejt forcave me reagim të shpejtë dhe ndërveprueshmëri të lartë me aleatët.

Serbia dhe Kosova në qendër të kalkulimeve strategjike

Megjithatë, pjesa më e ndjeshme politikisht e analizës lidhet me perceptimin e Shqipërisë ndaj Serbisë dhe zhvillimeve në Kosovë.

Sipas William Glynn, Tirana e konsideron politikën e Beogradit ndaj Kosovës si një prej shqetësimeve më të rëndësishme të sigurisë kombëtare.

“Refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për të njohur Kosovën vazhdon të formësojë vlerësimet e kërcënimeve të Shqipërisë”, shkruan autori, duke argumentuar se incidentet në veri të Kosovës, modernizimi ushtarak serb dhe lidhjet e vazhdueshme të Beogradit me Moskën përforcojnë shqetësimet shqiptare mbi ndikimin destabilizues në rajon.

Analiza ndalet edhe te aleanca trilaterale Shqipëri-Kosovë-Kroaci, e cila sipas autorit funksionon si një instrument parandalues dhe platformë për rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake, përmes stërvitjeve të përbashkëta, shkëmbimit të inteligjencës dhe koordinimit operacional.

Glynn argumenton se Tirana e sheh këtë bashkëpunim si një forcë stabilizuese në një rajon të polarizuar, si edhe një mekanizëm sigurie ndaj veprimeve të mundshme të njëanshme nga Serbia ose aktorë të tjerë të jashtëm.

Rusia dhe kërcënimet hibride

Autori i analizës i kushton vëmendje edhe rolit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Duke iu referuar vlerësimit të komunitetit amerikan të inteligjencës për vitin 2026, Glynn shkruan se Moska e konsideron Ballkanin një hapësirë të favorshme për operacione hibride, përmes dezinformimit, ndërhyrjes politike dhe presioneve kibernetike.

Si anëtare e NATO-s, Shqipëria – argumenton ai – shihet si një objektiv legjitim për përpjekjet ruse që synojnë dobësimin e besimit publik ndaj orientimit euro-atlantik të vendit.

Në këtë kontekst, investimet në inteligjencë, mbrojtje kibernetike dhe komunikim strategjik paraqiten si pjesë thelbësore e strategjisë së sigurisë së Shqipërisë.

Edhe politika e brendshme hyn në ekuacion

Analiza prek edhe zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Glynn vëren se, ndonëse qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ruajtur përgjithësisht stabilitet politik, protestat opozitare dhe rritja e kërkesave publike për llogaridhënie kanë sjellë një kontroll më të madh ndaj qeverisjes.

Sipas tij, ndonëse orientimi euro-atlantik gëzon mbështetje të gjerë, çështjet që lidhen me korrupsionin, pabarazitë sociale dhe sovranitetin mund të përdoren gjithnjë e më shumë në debatet e brendshme politike mbi shpenzimet e mbrojtjes dhe politikën e jashtme.

Në përfundim, William Glynn argumenton se Shqipëria po ndjek një strategji të qartë: forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, mbështetjen për sovranitetin e Kosovës dhe thellimin e integrimit me NATO-n, duke u pozicionuar si një aktor stabilizues në Evropën Juglindore.

Por, sipas analizës, dinamika e marrëdhënieve me Serbinë dhe ndikimi i aktorëve të jashtëm si Rusia do të vazhdojnë të mbeten pjesë qendrore e kalkulimeve strategjike të Tiranës.

Advertisement