Politike
Turizmi me bukë me vete/ Rama: Tani na duhet ai i klasit, pse dyhet t’i shohim fqinjët me zili
Rama tha se projekti i Zvërnecit, i cili do të ishte i pari në Mesdhe dhe Europë sa i përket llojit të tij, do ta çonte Shqipërinë drejt turizmit elitar. Ai tha se deri tani është shfrytëzuar turizmi i masës për promovim, por kjo nuk sjell të ardhura dhe s’është synimi i tij për të lënë gjurmë.
“Pse duhet të shikojmë me zili Greqinë për Costa Navarino? Çfarë ishte? Zonë e mbrojtur. Me admirim e shikoj Greqinë, por me zili pse? Sveti Stefan në Malin e Zi? Po Kroacinë pse duhet ta shikojmë me zili? Duam të konkurrojmë ne me këta? Të rrimë te turizmi i masës me bukë me vete që prodhojnë më shumë mbetje sesa të ardhura, është zgjedhje që mund ta bëni, me mua jo. Na është dashur se është turizmi i ambasadorëve, tani na duhet ambasadori i klasit që të na sjellë shumë para, jo për mua se unë jam informuar që sado të besosh në Zot, një ditë do të ikësh nga kjo botë, atje s’ka as ‘cash’, as karta krediti, as rroba, asgjë. E vetmja gjë që vlen është çfarë lë mbrapa për kujtim. Unë kujtim përfundimtar turizmin e masës nuk e lë dot si pjesë të misionit tim. Unë dua të lë gjëra që t’i bëjnë krenarë fëmijët tanë. Po pagat si do i rrisim ne më shumë? Na duhet ta rrisim PBB apo jo? Unë dua ta çojmë 35 miliardë deri në fund të dekadës”, tha Rama.
Duke sqaruar projektin për Sazanin, Rama tha se është bërë e qartë në shkresat ku shteti shqiptar ka shprehur kushtet se projekti do të zhvillohet në prona private, nuk do të preket laguna e marina. Gjithashtu, në 2026 është dhënë leja për lejimin e materialeve të përkohshme që do të shërbejnë për studimin e zonës.
“Në mars 2026, është paraqitur një projekt krejt tjetër, i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe, projektuese, zhvillimore, mjedisore. Këshilli Kombëtar i Territorit, tregtarët që për llogari timen shesin Shqipërinë, kanë vendosur kushte dhe kufizime konkrete për vijimin e projektit. E para, është e shkruar, projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie në kadastër dhe asnjë pronë tjetër të kontestuar ose që mund të rezultojë copë-shtet. Laguna nuk preket, është e shkruar! Zhvillimi s’mund të përfshijë marinë, është e shkruar. Kishte marinë në versionin e parë dhe të dytë, u hoq. Është kërkuar të hartohet më pas një projekt i detajuar dhe konsultim me autoritetet përgjegjëse dhe vetëm pasi të jetë parë projekti në tërësi. Nuk po ju them që investitorët thonë që në Shqipëri shteti të jetë kaq rigoroz, edhe pse kanë thënë çdo gjë sipas librit të ligjit. S’kemi ardhur të importojmë barsoleta dhe filma për veten, kemi ardhur të bëjmë një investim për Shqipërinë dhe Europën. Përcaktimi i brezit mbrojtës, është i shkruar, projekti duhet të konisderojë dhe respektojë brez mbrojtës nga vija e lagunës. Kjo distancë duhet të ruajë peizazhin natyror, cilësinë e habitatit dhe të garantojë porceset ekologjike, karakteristike të zonës. Është e shkruar, përpara, kur ka ardhur kompania dhe është përballur me të gjitha vërejtjet. Leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për realizimin e rrugëkalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do të përdoren për studimin e biodiversitetit. Pasuritë objekt-zhvillimi janë pronë private. Investitorët kanë marrëveshje me Aman Hotel, Cheval Blanc që është në Paris, Venecia e do të vijë në Vlorë nëse së bashku do ua urojmë mirëseardhjen”, tha Rama.