Politike
“Mos na përfshini në këtë histori”/ Vetëvendosje reagon pas akuzave të Ramës
Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se si subjekt politik është e përfshirë në protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej 23 ditësh.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, deklaroi se partia nuk ka asnjë rol organizativ apo politik në këto protesta, duke theksuar se mbështetja për to vjen vetëm në mënyrë individuale nga disa aktivistë apo eksponentë të saj, në formë solidarizimi me kërkesat e qytetarëve.
“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë. Disa aktivistë apo individë solidarizohen me kërkesat e qytetarëve, por nuk bëhet fjalë për rol të subjektit politik”, tha Dugolli.
Ai i bëri thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të mos përfshijë Vetëvendosjen në deklaratat e tij lidhur me protestat, duke shtuar se fokusi duhet të jetë te qytetarët që protestojnë.
“Gjuha e përdorur nga Rama nuk i bën nder. Ai duhet të komunikojë me qytetarët e revoltuar dhe të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, jo të merret me Vetëvendosjen”, u shpreh ai.
Sipas Dugollit, protestat në Tiranë dhe qytete të tjera, si dhe pjesëmarrja e mërgatës, janë shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj situatës politike dhe nuk lidhen me organizim nga ndonjë subjekt politik nga Kosova.
Kujtojmë se Edi Rama ka përmendur edhe individë apo mbështetës të Vetëvendosjes në kontekstin e protestave, duke i cilësuar disa prej tyre si pjesë e asaj që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai ka bërë dallim mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Rama ka kritikuar pjesëmarrësit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta, duke theksuar se ata nuk përfaqësojnë diasporën shqiptare të Shqipërisë.