✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

“E dhunova një ditë para se të vriste veten, por…”/ Dëshmia e ish partnerit të Xhuana Nikollit

Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, e cila humbi jetën pasi konsumoi fostoksinë, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Fizi u përball me gjykatën pas vetëdorëzimit në Policinë e Lezhës, më shumë se një vit e gjysmë pasi ishte shpallur në kërkim.

Prokuroria e akuzon për “shkaktim të vetëvrasjes” dhe “dhunë në familje”, ndërsa gjatë seancës Fizi pranoi se kishte ushtruar dhunë ndaj Xhuanës një ditë para vdekjes së saj. Ai mohoi, megjithatë, që dhuna të kishte qenë e vazhdueshme. Për rrethanat e tjera të ngjarjes, ish-bashkëshorti i Xhuanës deklaroi se do të japë shpjegime në një moment të dytë.

Para gjykatës, Fizi u shpreh se gjendja e tij psikologjike është e rënduar dhe se do të përballet me pasojat e veprimeve të tij. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Xhuana Nikolli ndërroi jetë në urgjencën e QSUT “Nënë Tereza”, ku ishte dërguar për ndihmë mjekësore pasi kishte konsumuar fostoksinë. Pas divorcit nga Fizi, ajo ishte larguar nga Lezha dhe jetonte me mikeshat e saj në një banesë me qira në Tiranë.

NJOFTIM PËR MEDIAN
Mbi interesimin publik të shfaqur, komunikojmë në mënyrë zyrtare informacionin si vijon: Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot, më datë 02.10.2026, mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj personit nën hetim E. F., me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar”, parashikuar nga neni 248 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të gjykimit të çështjes, pas shqyrtimit të provave të paraqitura, në mbështetje të neneve 228, 229, 238 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.

2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E. F. me vendimin nr. 643 Regj. Them., datë 16.03.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke urdhëruar mbajtjen e tij në një institucion paraburgimi.

3. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

5. U shpall në Tiranë, sot, më datë 02.10.2026.

Advertisement