Kronike
Pulëbardha me fishek në gojë/ Artan Hoxha rrëfehet: Ja pse Saranda është kthyer në arenë të bandave
Gazetari i kronikës, Artan Hoxha, deklaroi se Saranda nuk është më qyteti i qetë që ishte dikur, por është kthyer në një nga zonat ku po përplasen grupet më të fuqishme kriminale të vendit.
Hoxha tha se ndryshimi nisi me rritjen e investimeve dhe të vlerës së pronave, çka, sipas tij, e bëri qytetin shumë tërheqës për botën e krimit.
“Saranda nuk ka qenë kurrë zonë problematike. Përkundrazi, njerëzit problematikë nga veriu shkonin atje për pushime, sepse ishte një zonë shumë e qetë. Mirëpo, me rritjen e investimeve, me rritjen e vlerës së pronës dhe me hyrjen e investitorëve strategjikë, Saranda u bë një zonë shumë joshëse. Dhe ku shkon krimi? Shkon te paraja. Fillimisht blenë ambiente e apartamente, më pas hotele, u bënë aksionerë, investitorë dhe sot janë bërë edhe ndërtues. Kështu zbritën grupet e mëdha atje dhe kjo bëri që Saranda të përjetojë rrëmbime, zhdukje personash dhe ngjarje me eksploziv, që nuk kanë qenë kurrë karakteristikë e këtij qyteti“, tha Artan Hoxha.
Sipas tij, atentatet që po ndodhin në Sarandë nuk mbajnë firmën e grupeve të vogla kriminale, por të organizatave të fuqishme që veprojnë në kryeqytet.
“Duket sikur një kafshë tjetër ka hyrë në Sarandë. Ata që i bëjnë këto ngjarje nuk janë vandalë. Aty po përplasen grupe shumë të forta. Janë grupet e kryeqytetit, nuk janë grupe të vogla. Kanë hyrë fort në Sarandë dhe po qëndrojnë fort, sepse aty janë interesat ekonomike dhe paratë“, u shpreh gazetari.
Duke komentuar atentatin e fundit në qytetin bregdetar, Hoxha tha se autorët kanë ndryshuar edhe mënyrën e largimit për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.
“Ngjarja e fundit në Sarandë është interesante për një arsye. Atentatorët shkuan me motor, kryen qitjen dhe më pas u larguan në rrugë detare. Kjo sepse Saranda ka shumë pak hyrje dhe dalje dhe ato janë të gjitha të mbuluara me kamera me rezolucion të lartë, që regjistrojnë targën e çdo automjeti. Për të mos u identifikuar, këtë herë shmangën daljen nga toka dhe zgjodhën largimin nga deti“, tha Hoxha.