Connect with us

Rajon

Vuçiç hap çështjen e Ibrit/ Tirana: Vendimet nuk mund të merren njëanshmërisht

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e kësaj ideje.

Ministri Ferit Hoxha ka shprehur shqetësim lidhur me një ndërhyrje të mundshme në një sistem ujor ndërkufitar, duke theksuar se një çështje e tillë nuk mund të trajtohet në mënyrë të njëanshme, veçanërisht nëse mund të ketë pasoja për territorin, mjedisin dhe furnizimin me ujë të një vendi tjetër.

Hoxha i është referuar detyrimeve që burojnë nga e drejta ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, përfshirë parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve ujore, parandalimin e dëmeve ndërkufitare, si dhe bashkëpunimin, shkëmbimin e informacionit dhe konsultimin mes palëve.

Sipas ministrit, Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe, për këtë arsye, çdo projekt që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave ndërkufitare duhet të shqyrtohet në përputhje me këto detyrime.

Reagimi i Tiranës vjen pas deklaratave të Vuçiçit, i cili tha se ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekziston prej vitit 1985 dhe se Beogradi ka ftuar ekspertë, inxhinierë dhe përfaqësues të sektorit të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e një projekti të tillë.

Presidenti serb argumentoi se një ndërhyrje e tillë lidhet me interesat e banorëve pranë liqenit dhe përmendi edhe mundësinë e ndikimit në nivelin e ujit të liqenit të Ujmanit, i cili është një burim i rëndësishëm ujor për Kosovën.

Në deklaratën e saj, Shqipëria kërkon që çështje të tilla të trajtohen përmes transparencës, të dhënave shkencore dhe vlerësimit të ndikimit ndërkufitar, duke mbështetur konsultimet dhe bashkëpunimin mes palëve. Tirana gjithashtu thekson se burimet ujore nuk duhet të shndërrohen në instrument presioni politik.

Advertisement