Bota
Gjykata rrëzon padinë 10 miliardë dollarëshe të Trump ndaj WSJ
Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar padinë prej 10 miliardë dollarësh të presidentit Donald Trump kundër gazetës “The Wall Street Journal”, lidhur me një artikull që pretendonte se ai kishte shkruar një letër me përmbajtje sugjestive për financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
BBC shkruan se, gjykatësi Darrin Gayles vendosi të rrëzojë çështjen, duke argumentuar se pretendimet e presidentit amerikan nuk mbështeteshin në prova të mjaftueshme dhe se padia binte ndesh me parimet e Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, i cili garanton lirinë e shtypit dhe të shprehjes.
Trump kishte paditur kompaninë mëmë të gazetës, Dow Jones, si dhe drejtuesin e saj, Rupert Murdoch, pasi gazeta publikoi një artikull mbi një letër që pretendohej se presidenti amerikan ia kishte shkruar Epstein në vitin 2003, me rastin e 50-vjetorit të lindjes së këtij të fundit.
Trump ka mohuar vazhdimisht se e ka shkruar apo nënshkruar letrën, e cila përmbante disa shprehje sugjestive dhe një vizatim me konturin e trupit të një gruaje të zhveshur.
Është hera e dytë që padia e Trump për shpifje rrëzohet. Fillimisht, presidenti kishte kërkuar 20 miliardë dollarë dëmshpërblim, por pas rrëzimit të çështjes, ekipi i tij ligjor e riparaqiti padinë duke kërkuar 10 miliardë dollarë.
Këtë herë, gjykatësi e hodhi poshtë çështjen “me efekt përfundimtar”, që do të thotë se padia nuk mund të paraqitet sërish në të njëjtën formë.
Në vendimin prej 20 faqesh, Gayles vlerësoi hetimin e gazetës, duke e cilësuar atë si një punë “të kujdesshme dhe të detajuar”. Ai argumentoi se ekipi ligjor i Trump nuk kishte arritur të provonte se gazeta kishte publikuar informacione të pavërteta duke e ditur se ishin të tilla, apo duke shpërfillur me vetëdije mundësinë që ato të ishin të rreme.
Gjykatësi e përshkroi padinë si një përpjekje për të “kapur çdo fije të mundshme” dhe për të krijuar artificialisht mangësi në punën gazetareske.
Sipas legjislacionit amerikan, për të fituar një çështje shpifjeje, një figurë publike duhet të provojë se media ka vepruar me atë që në jurisprudencën amerikane njihet si “keqdashje e vërtetë” (actual malice). Ky standard kërkon prova se publikuesi e dinte që informacioni ishte i rremë ose kishte vepruar me shpërfillje të pamatur ndaj vërtetësisë së tij.
Ekipi ligjor i Trump kishte argumentuar se, pasi presidenti mohoi autorësinë e letrës kur u kontaktua nga gazeta, “Wall Street Journal” duhej të kishte hequr dorë nga publikimi i artikullit, pavarësisht informacioneve të tjera të siguruara gjatë hetimit.
Por gjykatësi Gayles e kundërshtoi këtë argument, duke theksuar se standardi ligjor për shpifjen nuk kërkon që gazetarët të heqin dorë nga publikimi vetëm sepse një figurë publike mohon një pretendim.
Në vendimin e tij, ai paralajmëroi se një interpretim i tillë do të nënkuptonte se sa herë një personazh publik ose përfaqësuesit e tij mohojnë një akuzë, gazetarët do të pengoheshin automatikisht të publikonin informacione kritike apo që bien ndesh me deklaratat e tyre.
Sipas tij, një përfundim i tillë do të ishte në kundërshtim me lirinë e shtypit të garantuar nga Kushtetuta amerikane.
Letra për Epstein, në qendër të përplasjes gjyqësore
Artikulli i “Wall Street Journal” lidhej me një libër të përgatitur për 50-vjetorin e lindjes së Jeffrey Epstein në vitin 2003, ku ishin përfshirë mesazhe dhe dedikime nga persona të ndryshëm.
Sipas gazetës, letra që mbante emrin e Donald Trump përmbante disa rreshta të daktilografuar, të rrethuar nga konturi i një gruaje të zhveshur, i cili dukej se ishte vizatuar me një marker të trashë.
Në përmbajtjen e saj thuhej, sipas raportimit, një frazë ironike se “enigmat nuk plaken kurrë”, ndërsa mesazhi përfundonte me fjalët: “Një mik është një gjë e mrekullueshme. Gëzuar ditëlindjen – dhe u bëftë çdo ditë një tjetër sekret i mrekullueshëm”.
Trump ka mohuar se letra është shkruar apo nënshkruar prej tij dhe ka pretenduar se dokumenti është i falsifikuar, ndërsa ka akuzuar gazetën se publikimi kishte për qëllim dëmtimin e reputacionit të tij.
Çështja u publikua në një periudhë kur administrata Trump po përballej me kritika të forta, si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët, për mënyrën se si po trajtonte dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein.
Vendimi i fundit i gjykatësit përbën një zhvillim të rëndësishëm në përplasjen ligjore mes presidentit amerikan dhe një prej mediave kryesore në SHBA, duke rikthyer në vëmendje kufijtë mes pretendimeve për shpifje dhe mbrojtjes kushtetuese të lirisë së medias.