Aktualitet
Arrestohen dy persona për trafikimin e 4 emigrantëve me pagesë
Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Gjirokastrës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar katër emigrantë, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit me Greqinë.
Policia ka bërë me dije se në kuadër të operacionit të koduar, “Long Wait”, janë sekuestruar një automjet dhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprimet e mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Long Wait”.
U kapën në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 4 emigrantë, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit me Greqinë, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 1 automjet dhe 2 aparate celularë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional në DVP Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Long Wait”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
A., 20 vjeç, dhe L. B., 20 vjeç, të dy banues në Bulqizë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, kundrejt fitimit, 4 emigrantë, të cilët kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit me Greqinë, si dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprimet e mëtejshme, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.