Shkrime
Bela & Lali, a e ka humbur Rama pushtetin mbi drejtësinë
Nga Andi Bushati
Dy ngjarje të ditëve të fundit, ku në të dyja përfshihen personazhet më të larta të qeverisjes së Edi Ramës në vitet e fundit, kanë ringritur edhe njëherë pikpyetjen nëse sistemi i drejtësisë ka arritur ti shpëtojë zgjedhës së kryeministrit.
E njëjta gjë mund të thuhej edhe për rastin Balluku. Kjo jo vetëm për faktin se shefi nuk donte të humbiste në këtë moment numrin 2 të qeverisë, të cilës i kishte deleguar të gjitha kompetencat e punëve të përditshme. As sepse Ballukun e kishte caktuar si prijëse të fushatës elektorale në Tiranë. Por mbi të gjitha, se ndryshe nga më parë, duke vendosur ta marë të pandehur atë, prokuroria e posaçme ka lënë të kuptohet sikur po shkon në thelbin e një çështjeje, ku është direkt i implikuar Edi Rama.
Këto dy episode, pra anullimi i zgjedhjeve të prakohshme për Tiranën dhe kullotja e SPAK-ut, pa leje, në livadhet e ndaluara të qeverisë i kanë dhënë hov të gjithë idhtarëve të drejtësisë së re, ti tundin si shembuj të sukseseve dhe pavarësisë së saj. Ata po nxitojnë të thërasin fitore.
Pse, ju duket e vogël që Gjykata Kushtetuese ti thyejë hundët gjithë mekanizmit (PS, Këshill Bashkiak, Kryeministri, Presidencë, Ogerta Manastrliu), pyesin ata? A mund të ndodhë kjo në një vend ku sistemi është i kapur? Ata shkojnë edhe më tej. Po nëse SPAK-u s’do kishte liri veprimi, a do mundte ti’a rrëmbente Ramës, Belindën? A do guxonte të bënte atë për të cilën është akuzuar deri tani, se e ka të pamundur, hetimin e procedurave? Po edhe nëse do donte të godiste zv/kryeministren, a do shkonte drejtpërdrejt tek 190 milonë eurot e tunelit të Llogarasë, gjë që se ka bërë as me inceneratorët, as me koncesionet në shëndetësi?
Në fakt, panorama nuk është kaq rozë sa e përshkruan kjo luzmë optimistësh të pandreqshëm. Në rastin më të mirë është ende shumë shpejt për të bërtitur: “fitore”. Për ta kuptuar këtë ia vlen ti kalosh të dyja ngjarjet e mësipërme në filigran, përtej përshtypjes së rreme që krijon impakti i parë me to.
Le ta nisim me rastin Veliaj. Po është e vërtetë që Edi Rama dëshëronte ti lante njëherë e mirë hesapet me të duke e nxjerrë përfundimisht nga zyra për të ulur në vend të tij Ogertën. Por pyetja që shtrohet është kjo: Sa të domosdoshme dhe të panegociueshme e kishte këtë?
Këtu nuk po i hyjmë teorive konspirative që po gëlojnë mes kundërshtarëve të tij, se ai ishte friksuar për rezultatin e Tiranës, se Manastirliu nuk po ngjiste, se opozita po rritej. Pra se në fund qe vetë Rama që e urdhëroi kushtetuesen që ta anullonte garën e Tiranës. Ndonëse një version i tillë nuk është i palogjikshëm, atë po e lëmë menjanë, pasi nuk disponojmë fakte për ta mbështetur.
Prandaj rikthehemi tek dilema: sa punë i prishte Ramës nëse zgjedhjet anulloheshin? A nuk vijon të ketë ai kontroll të plotë mbi bashkinë? A nuk e ka zhveshur tashmë ai Veliajn nga çdo kompentencë, deri në pikën që nuk vendos dot më në punë as një punonjëse gjelbërimi? A nuk e detyroi ai të griste nga burgu urdhërin për delegimin e kompetencave tek Sara Goxhaj dhe ta linte drejtimin në duart e atyre që donte shefi? Pra ndonëse Rama mund të ketë dashur të mbyllë kapitullin e Lalit dhe të hapë atë të Ogertës, kjo që ndodhi, në thelb, atij nuk i prish as një punë. Kaq i rëndë është vendimi i kushtetueses kundër tij.
Të njëjtin mirazh të rremë ka reflektuar edhe vendimi për të marrë Belën të pandehur. Ndonëse, në dukje, ndryshe nga rastet e tjera, ajo nuk po hetohet për “kumbllat dhe dardhat e ngrëna pas shpine”, por për një aferë që e ka kryer në bashkëpunim me shefin, ngjarjet e deritanishme dëshmojnë për një kujdes të tepruar në trajtimin e saj.
Në raste të ngjashme, madje për akuza jo kaq të rënda, edhe për Berishën edhe për Ahmetajn, edhe për Metën apo Veliajn, SPAK-u ka zgjedhur masat e kufizimit të lirive. Balluku është ende e lirë, mban në duart e saj pashaportën për udhëtime, madje vijon të shkojë në zyrë, ndonëse është dëshmuar me fakte, si nxjerrja e lejes së punimeve për tunelin, tri vjet pasi ai kishte mbaruar dhe pasi denoncimet ishin bërë, se ajo ka mundësi të manipulojë provat.
Ajo që të bën përshtypje është: pse ky standart i dyfishtë? I njëjti standart vërehet edhe në trajtimin që Ballukut po i bëjnë prokurorët. Boll të shihet komunikata e thatë dhe korrekte e SPAK për penalizimin e saj, shumë me e qetë sesa ato ku përgojoheshin të pandehurit e tjerë. Boll të krahasohet mbajtja e saj në godinë vetëm 15 minuta, ndërkohë që prokurorët, në rastin Veliaj, arritën të prodhojnë tituj bombastikë lajmesh se ai u pyet për plot shtatë orë. Ky trajtim i veçantë si dhe heqja dorë nga metoda e ndjekur deri tani nga SPAK “denigroje moralisht para se ta marrësh të pandehur”, dëshmojnë se fati i Belindës nuk është vendosur. Për të ende po negociohet.
Por më kryesorja, mbi të gjitha, edhe sikur personalisht asaj nesër ti rezervohet fati më i keq i mundshëm, a kemi ne deri më tani ndonjë sinjal se kjo histori do shkojë deri lart, tek njeriu që realisht ka marrë vendim, për tunelin e Llogarasë? A rrezikohet realisht Rama nga drejtësia, kur të gjithë tashmë janë të bindur se është pikërisht ai që qëndron pas skandaleve më të mëdha në këtë vend? Deri më tash për këtë nuk kemi asnjë indicie.
Kështu që të dyja këto ngjarje, si ajo për të mos hequr dot qafe Lalin me anë të zgjedhjeve të parakohëshme, si edhe tjetra për të shpëtuar Belën nga zgjedha e SPAK-ut, mund të kenë ndryshuar planet e Ramës, mund ti kenë prishur atij humorin, ndoshta mund ta kenë yshtur ti ribjerë me pëllëmbë tavolinës, por në asnjë çast, nuk kanë cënuar aspak prej pushtetit të tij. Ai e ka në kontroll të plotë bashkinë dhe do ta ketë po ashtu dhe qeverinë edhe në rastin me fatkeq të rrëzimit të zv/kryeministres.
Në një sistem autokratik, nuk ndodh asnjë traumë nëse bie një ingranazh i ndryshueshëm ndërkohë që makineria vijon të punojë po njësoj. Ai quhet i tillë, pikërisht se autokrati mbetet i paprekshëm. Prandaj është krejtësisht absurde dhe ilogjike të shpjegosh ngazëllimin e atyre që shpallën fitore për aktet që kushtetuesja dhe SPAK-u ndërmorrën “kundër” Ramës.