Connect with us

Politike

Berisha sulmon mediat dhe Salianjin: Hyri hero në burg, doli me mbështjetjen e karteleve të drogës

Kreu i PD, Sali Berisha ka shpërthyer sërish ndaj mediave që i konsideron pranë qeverisë, duke i akuzuar se fshehin realitetin dhe shërbejnë si kanale për atë që ai e quajti “e keqja banale”.

Në një intervistë për Departamentin e Gazetarisë në Tiranë, kreu i PD-së u ndal te referendumi i votëbesimit për drejtimin e partisë, duke u ankuar se mediat e afërta me qeverinë u përpoqën ta paraqisnin si një proces pa vlerë, ndërsa sipas tij, heshtën për çështje të tjera që ai i konsideron më problematike.

“Po marr referendumin. Nuk mund ta shumëzosh kurrë me zero demokracinë direkte. Dakord që nuk është garë por çdo njeri që voton ka të drejtë të vendosë kryq, dhe ai e di që me kryq nuk zgjidhet. Si mund të demonizosh një proces. Është rast tipik që në kuadër të së keqes banale ti i transformon kuptimin asaj. Ajo është forma më demokratike që nga Greqia gjer sot”, tha Berisha.

Më pas ai kaloi te një tjetër temë, duke shprehur habinë për mungesën e reagimeve mediatike ndaj dekorimit të Bardhyl Agasit nga kryeministri Edi Rama.

“Shkon dekoron Bardhyl Agasin. Asnjë media nuk reagon. Tmerr. Çfarë është ai? I ati i një njeri që ka koordinuar një nga kartelet më të egra në Europë. Në vend që të paraqesë këtë akt të papërgjegjshëm, e paraqesin si ai që nuk është. Për këtë kam keqardhje”, deklaroi kreu demokrat.

Duke mbrojtur referendumin e 23 majit, Berisha tha se në Partinë Demokratike anëtarësia pati mundësinë të votëbesojë drejtuesin, ndërsa sipas tij në Partinë Socialiste nuk zhvillohen procese të ngjashme prej vitesh.

“E vërteta është se referendumi i së shtunës është forma më përfaqësuese, është demokraci direkte ndërkohë që krahu tjetër ka 17 vite që nuk voton një herë dhe kjo deformohet nga propaganda e kontrolluar nga qeveria se nuk ishte garë”, u shpreh ai.

“Vetëm qenie primitive politike mund t’i lejojnë vetes vendime të tilla. Po krijove parti ndiq partinë tënde. Nuk mund të imagjinohesh të kthehesh. Ose tjetri i cili për hir së vërtetës u fut si hero në burg e doli i klonuar me një mision të caktuar, absolutisht”, tha Berisha.

Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se Salianji kishte kërkuar mbështetje nga persona që ai i lidhi me botën e krimit, duke argumentuar se kjo ishte arsyeja pse ishte konsideruar i vetëpërjashtuar nga partia.

“Ai bënte xhiro me ndihmën e klaneve të fuqishme të karteleve të drogës dhe i është thënë që është vetëpërjashtim. Nëse ti bën një garë dhe kërkon ndihmën e vrasësve dhe ata dërgojnë mesazhe tek anëtarët e partisë tënde, dil se përndryshe, e ke parasysh çfarë çmimi kërkojnë, çdo kryetar i partisë është i detyruar të mbrojë anëtarët e vet”, deklaroi Berisha.

Në fund, ai këmbënguli se modeli “një anëtar, një votë” dhe votëbesimet përmes referendumit janë praktika të përhapura në partitë politike në shumë vende të botës.

Advertisement