Aktualitet
FOTO/ Gjendet i mbytur një person në lumin Mat, dyshohet të jetë ish-oficer i Gardës
Një person i pajetë është gjetur në ujërat e lumit Mat në fshatin Zenisht mëngjesin e sotëm.
Ai është Flamur Kolmarku, ish-oficeri i Gardës së Republikës, i cili kohët e fundit kishte humbur kujtesën dhe ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë.
Personi i mbytur është konstatuar nga banorët e zonës të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet. Trupi i 56-vjeçarit do t’i nënshtrohet ekspertizës.
“Më datë 07.06.2026, rreth orës 10:00, në lumin Mat, në fshatin Zenisht, Bashkia Mat, është gjetur pa shenja jete shtetasi F. K., 56 vjeç, banues në Tiranë.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe të spitalit të Burrelit të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë dhe transportimin e tij drejt institutit të mjekësisë ligjore në Tiranë.
