Bota
Frikë për furnizimin global/ Avionë dhe karburant në rrezik nga kriza në Hormuz
Vetëm pak orë pasi u shpreh i gatshëm të hapë Ngushticën e Hormuzit, qëndrimi i Iranit pëson një tjetër kthesë të papritur.
Nëse SHBA‑ja vazhdon bllokadën e saj detare, Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet sërish. Një ditë më parë, pas lajmit të hapjes së saj, pati një reagim të menjëhershëm të tregjeve të energjisë. Çmimet e naftës ranë ndjeshëm pothuajse në të njëjtin moment: Nafta WTI u ul me 11.8 për qind, duke arritur në 83 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent regjistroi një rënie prej 11.32 për qind, duke zbritur në 88 dollarë, raportoi Sky News.
Mbrëmjen e së premtes, çmimi u rrit sërish në 92 dollarë, dhe duket është stabilizuar në këtë kuotë. Me njoftimin e fundit të Teheranit, vëmendja menjëherë u kthye nga reagimi i tregjeve, por për momentin, prej tyre nuk ka ende një reagim. Përpara konfliktit, nafta Brent tregtohej nën 70 dollarë për fuçi.
Me nisjen e luftës, ajo u rrit në mbi 100 dollarë, përpara se të arrinte një kulm mbi 119 dollarë për fuçi në mars.
Luhatjet e forta të çmimit të naftës kanë shkaktuar rritje të çmimeve të benzinës për drejtuesit e automjeteve, por kanë ngritur shqetësime edhe mbi furnizimin me karburant për avionët, duke ngjallur frikën se linjat ajrore mund të detyrohen të anulojnë fluturime. Sipas ekspertëve të ekonomisë, në rast se ngushtica e Hormuzit e përfshirë tani nga lufta mbetet e bllokuar rrezikohet ndjeshëm e gjithë ekonomia botërore. Teherani e konsideron këtë rrugë detare si çelësin kryesor për sigurimin e interesave strategjike në rajon në jug të Iranit dhe të Gjirit Persik.