Connect with us

Shkrime

I ftohtë si një i vdekur/ Lule dhe qiri për Vuçiçin

Shkrimtari dhe gazetari serb Tomislav Markoviç tha se Aleksandar Vucici e admiron Vladimir Putinin, presidentin e një vendi ku është krim të lësh lule dhe të ndezësh qiri për viktimat e pafajshme.

Në një tekst autorial, shkrimtari serb e përshkruan si të ftohtë emocionalisht, Vucicin, i cili e krahasoi vdekjen e një opozitari rus me vdekjen e Slobodan Millosheviçit në burgun e Hagës.

“Vuçiq nuk i fsheh synimet e tij, pavarësisht se ai gënjen Ursula von der Leyen se Serbia dëshiron të vazhdojë dhe të përshpejtojë integrimin evropian” – shkruan Markoviç

“Në Mynih para pak ditësh u mbajt një konferencë për sigurinë, ku ishin të pranishëm liderë të fuqishëm botërorë, mes tyre edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic. Tingëllon pak si shaka, por vetëm sepse realiteti prej kohësh është bërë shaka e padurueshme dhe si ka mundësi që ishte edhe  ky ‘Destabilizues’ në një forum që merret me çështje të sigurisë dhe stabilitetit të botës?

E ftuan që t’u shpjegojë se cili ishte roli i shtetit të Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë? Për ta pyetur deri ku ka arritur hetimi? Pse lideri i grupit terrorist Milan Radoiçic u lirua, sikur të kishte kryer ndonjë kundërvajtje? Ndoshta konferenca ishte një mundësi e mirë që ata të flisnin se përse Vuçic po destabilizon të gjithë rajonin, e me këtë edhe Evropën, me një program që përkon çuditërisht me planet e Kremlinit?| – shkruan Markoviç, i cili kujton edhe se sigurisht qe nuk u diskutua për këto tema dhe se vetëm senatorja amerikane Jean Shahin pas takimit me Vuçicin dhe Kurtin tha se Radoiçic duhet të arrestohet dhe të futet në burg.

“Vuçicit i thanë se nuk mund të ulet më në dy karrige, se do të duhej të zgjidhte: Rusinë apo Evropën. Sikur jo shumë kohë më parë kishte zgjedhur të ishte aleati i vetëm i Vladimir Putinit në këtë pjesë të botës. Në fund të fundit, Vuçic nuk i fsheh synimet e tij, pavarësisht se ai gënjen Ursula von der Leyen se Serbia dëshiron të vazhdojë dhe të përshpejtojë integrimin evropian” – potencon shkrimtari serb.

Ai kujton se gjatë konferencës mbërriti lajmi për vdekjen e opozitarit rus Alexei Navalny, kundërshtarit kryesor të Putinit, i cili vdiq në burg, në një koloni të largët të Arktikut, disa mijëra kilometra larg Moskës. Të mbledhurve në konferencë iu drejtua gruaja e tij, Yulia Navalny, e cila I tha Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij se do të sillen para drejtësisë për të gjitha keqbërjet që kanë kryer.

“Po kur Yulija Navaljna doli në skenë, të gjithë në sallë u ngritën në këmbë dhe Vuçiç mezi ia doli të lëvizte nga vendi, ndër të fundit. Të gjithë e përshëndetën gruan e Navalny-t me duartrokitje të forta, vetëm ky i verbëri yni refuzoi dhe sfidoi të duartrokiste, duke dërguar një mesazh të qartë se nuk ka simpati për viktimat e regjimit të Putinit. Në ditët në vijim, ai konfirmoi se nuk ishte një rastësi dhe një incident, por një politikë konsistente pro Kremlinit. Ndërsa e gjithë bota dërgon telegrame ngushëllimi dhe dënon regjimin kriminal të Vladimir Putinit, duke e fajësuar atë për vrasjen e Navalny, autoritetet serbe nuk e vuajnë ngjarjen” – shkruan Markoviç duke shtuar:

“Pas kthimit në Serbi, Vuçic beri komente për vdekjen e Navalny, duke shpjeguar veprimet e tij. I frohtë si një i vdekur, ai e krahasoi vdekjen e  opozitarit rus në një gulag siberian me vdekjen e Slobodan Millosheviçit në burgun e Hagës. Ai nuk kishte asgjë për të qortuar veten dhe konsideroi se gjithcka e beri si njeri dinjitoz. Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Vuçic vazhdimisht përsërit se në të gjithë botën perëndimore ka unanimitet, se të gjithë kanë të njëjtin mendim dhe ai është i vetmi njeri i lirë që ka mendim të ndryshëm nga te tjerët.

Në të vërtetë, shpesh është virtyt të jesh i ndryshëm nga të tjerët, sepse shumica shpesh mund t’i nënshtrohet paragjykimeve dhe t’u nënshtrohet opinioneve të pritura. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shumica e ka gjithmonë gabim. Shumica e njerëzve nuk janë hajdut xhepash të bashkëudhëtarëve në transportin publik dhe pakica që e bën këtë nuk e konsideron veten si individë të pavarur të imunizuar ndaj normave të imponuara kolektive. Ata janë thjesht hajdutë xhepash dhe kriminelë.

Shumica e njerëzve nuk e mbështesin pushtimin e Ukrainës nga Putini, rrafshimin e qyteteve, vrasjet masive të civilëve dhe krimet e panumërta të luftës, por ka disa shtetarë që i shohin me sy të mirë këto akte.

Kjo nuk do të thotë se janë të pavarur, dashamirës të lirisë, por se janë kryesisht kukulla të Putinit ndaj te cilit, Vuçiç, ky autokrat i ndershëm i një vendi të vogël ballkanik, ndjen zili per kreun e Kremlinit…

 

OPINION

20 fakte nga Spahiu: A ka Shqipëria familje mafioze apo banda kriminale?

Nga Kreshnik Spahiu

Ja çfarë kuptuam nga përgjimet. Ku ndryshon krimi organizuar shqiptar nga mafia italiane apo mafia ndërkombëtare?

Padyshim që mafia egziston kudo edhe në Shqipëri, por përgjimet e fundit të 7 bandave kryesore në Shqipëri zbuluan qartazi dobësitë e tyre dhe provuan se ato janë shumë poshtë dhe larg një organizimi 100% mafioz.

Qytetarët e thjeshtë në zhargonin ditor, për çdo bandë pëdorin termin “Mafia”, por në thelb ka disa ndryshime esenciale si koncept juridik. 7 bandat shqiptare të arrestuara apo shpallura në kërkim nga SPAK, qartazi janë të dhunshme dhe i përkasin krimit të organizuar por ato nuk mund të quhen kurrësesi “Familje mafioze” për këto arsye:

– Ato nuk kanë një organizim strukturor të centralizuar në formë piramidale me detyra dhe funksione të ndara. Ato nuk kanë as Kanun, as Kod, as “parime” mbi të cilat verpojnë.

– Ato nuk kanë rrugulla dhe norma sesi të organizohen në kohë dhe hapësirë, si të komunikojnë, funksionojnë, antarësohen, punojnë dhe ndajne fitimet apo aksionet e tyre. Ndrageta ndau në vitin 2022 për 1000 antarët e saj jashtë italisë 2.3 milon euro fitim vjetor.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si Mafia e huaj ekskluzivitete në ekonomine shqiptare ashtu sic ndodh ne Itali, Rusi, Meksike etj ku mafia kontrollon sektore monopol në transport, buqesi, industri, eksport. Ne disa raste ato quhen “Agromafia”, “Ekomafia”, Telemafia”, “Mafiabank”. I vetmi ekskluzivitet ishin lojrat e fatit për Ervis Martinajn nga qeveria demokratve por që nga 2014 u shkri si aktivitet. Bandat shqiptare kanë biznese por nuk kanë monopol të një sektori të ekonomisë së vendit.

– 7 bandat shqiptare nuk janë pronare apo aksionere as në banka, as nuk kanë kontroll në dhënien e fajdeve në qytete të caktuara. Atje ku ekziston mafia, shumica e qytetit jetojnë me para me fajde vetëm nga një famije.

– 7 bandat nuk kanë asnje kontrroll ekskluziv në një qytet të caktuar persa i përket “haraçit” qe paguajne bizneset më shume se taksa shtetit. Në disa qytete italiane 200.000 biznese paguajne “gjoben” e mbrojtjes mafies. 150.000 biznese nuk jane mbyllur nga zyra e taksave por nga mos pagesat mafies.

– 7 bandat shqiptare janë totalisht banale dhe amatore në mënyrën si funksionojnë. Kapot e tyre jo vetëm nuk janë diskretë dhe të fshehtë por sillen sikur janë play-boy filmash erotik duke dhe banal gjuajtur femrat e bukura ne instagram. Ata kanë me shumë dashnore sesa ushtarë apo staf te organizuar dhe strukturuar. Gjysma e tyre kanë rënë në kurthe nga të dashurat e tyre. Kapot e mafieve të huaja kanë familje të mëdha dhe shumë autoritet familjar duke bashkjetuar apo funksionuar në mënyrë patriarkale.

– 7 bandat shqiptare nuk kane qëndrueshmërinë e Familjeve mafioze që 100 vjet trashegohen dhe kanë lidhje gjaku apo lidhje “parimesh”. 7 bandat shqiptare çdo 7 dite ndryshonin aleancat dhe ja fusnin njeri-tjetrit. 7 kapot e bandave shqiptare jane banal, te pabese, injorante, mashtrues, llafazan, thashethemaxhi, halabakë, totalisht provincial dhe kanë dhunën primare jo influencen në shtet dhe popull.

– 7 bandat shqiptare jane të urryera në zonat e tyre dhe jo të pëlqyera apo solidare si Mafia. 7 bandat shqiptare nuk e mbrojnë komunitetin ku veprojnë por e dhunojnë. Mafia italiane apo ajo kolumbiane janë të dashura nga komuniteti sepse ndihmohen apo mbrohen shpesh prej saj.

– Dallimi mes bandave shqiptare dhe bandave italiane është që “halabakët” shqiptarë janë të fortit që ecin me xhama të zinj dhe makina të blinduara, ndersa kapot e mafias italiane ecin ne këmbë apo biçikletë duke i pershendetur gjithë qyteti, por duke mos i treguar askush nga banorët policisë se kush është ai “plaku me kollare” që po ha akullore në qendër të qytetit.

– 7 kryebanditët shqiptarë bënin lekë për tu dukur me veshje firmato dhe pushime në Ibiza. Familjet mafioze në botë bëjnë para që të mos duken dhe mos bien në sy.

– 7 bandat shqiptare ranë në rrjetën e policisë sepse të 7 shefat si amatore komunikonin drejtpërdrejt me njëri tjetrin dhe nuk përdornin filtra apo korrierë. Familjet mafioze nuk ka asnjë shanc që “krye-familjaret” të komunikojnë me telefona dhe pa kode.

– 7 kryebanditet shqiptarë janë komplet amator në krimet e tyre. Ata urdherojnë vetë, financojnë vetë, organizojnë vetë, ekzekutojnë vetë. Mjafton kaq për të kuptuar sa larg organizimeve mafioze ata janë. Në botë ka me dhjetra organizata mafioze, drejtuesit e të cilave kanë urdhëruar me qindra vrasje por personalisht nuk kanë prekur pistoletë me dorë.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë si mafia nderkombetare një sistem paralel fiskal apo bankar. Ato vazhdojnë të mbajnë paratë nëpër fuçi djathi apo gropa në bahçen e shtëpisë.

– 7 bandat shqiptare ndryshe nga mafia nderkombëtare nuk kryejnë atentate politike apo shtetrore. Nga përgjimet nuk rezulton asnjë aksion dhune apo vrasje për kundershtar politik.

– 7 bandat shqiptare nuk kanë një listë pagesash masive ne shtet ashtu sic kishte Al Capone apo cdo mafie tjetër qe paguajnë mbi 300 pokitikane, gjyqtare, prokurore, police, doganiere me page fikse cdo muaj. Pagesat qe bejne bandat shqiotare kur kane halle nuk quhen finacim i organizuar mafioz. Magesat mujore janë element organizimi dhe jo rryshfeti spontan.

– E fundit 7 bandat shqiotare nuk kanë një sistem organizimi formal si çdo mafie italiane me hierakinë e urdhërave, vendimeve dhe kopetencave: 1- Shefi, 2- Këshilltari, 3- Zv/shefi, 4- Kapitenët, 5- Ushtarët/ekzekutorët. 6- Financieri, 7-Aksionerët. 8-Antarët.

– 7 bandat banale shqiptare nuk kanë arritur dot të krijojnë “legjislacionin” e tyre që të ishte i detyrueshëm në qytete të vaktuara ku ata të ofronin si mafia italiane mbrojtje ekstra ligjore për komunitetin.

Të gjitha këto fakte janë relativisht të debatueshme por kryesisht provojnë se krimi organizuar në Shqipëri është i dhunshëm, është brutal, është famëkeq, është i rrezikshëm, është i fortë, është vrastar por në thelb është larg një strukturimi mafioz klasik. Ky është një lajm i mirë sepse me këputjen e disa kokave, bandat e tyre shpërbëhen dhe çmontohen. Ato nuk trashegohen në drejtim, dhe struktura e tyre nuk mund te vazhdoj funksionimin. Ato lindin dhe shuhen ose copëzohen me vrasjen e kryetarit. E njejta histori ndodhi me bandën e parë të Gaz Muçës, e cila u shkri me vrasjen e tij, dhe njesoj vazhdon me “Naim Zyberi”, “Haklat”, “Zani Çaush” apo deri në ditët e sotme “Ervis Martinaj”… Me zhdukjen e tyre, zhduken dhe bandat. E kundërta do ndodhte nëse do kishin krijuar disa familje mafioze. Tek mafia vdes kryetari por vazhdon trashëgimtari dhe ushtria e tij si shtet paralel me gjithë financat dhe asetet e trashëguara…….

Continue Reading

Shkrime

Lojërat e Vuçiç, as Lindje, as Perëndim, analiza e DW

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha për DW, se politika e jashtme serbe “ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikurse Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur “catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet.

Lufta kundër pranimit të Kosovës në KiE dhe kundër Rezolutës për Srebrenicën, zotimi për rrugën evropiane, vizita e liderit kinez, afërsia me Rusinë… A është politika e jashtme e Serbisë “skizofrene” apo me strategji?

Kemi te bejme me nje pranverë diplomatike te stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiçit në Rusi…

Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si “skizofrenike”. Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se
“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, persa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”.

Nga ana tjeter, Igor Novakoviç nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri u shpreh se në këtë politikë ka një sistem. “Fokusi tani është në dy boshte – me Amerikën dhe me Kinën”.

“Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese.

Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”- beson Novakoviç.

Dushko Lopandiç, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi,  si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila “në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.

“Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëroi Lopandiç.

Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë. Igor Novakoviç vëren se “qeveria kontrollon në mënyrë të barabartë narrativën pro-ruse dhe pro-perëndimore në media. Kjo zvogëlon rëndësinë e Perëndimit dhe BE-së nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër parandalon disa manipulime më të thella nga pala ruse”.

Regjimi serb ka zhvilluar një fushatë antiperëndimore për një kohë të gjatë. Njëjohësisht ka bërë në masë të vogël një fushatë pro-ruse, thotë Dushko Lopandiç.

“Është vërtet interesante që kjo vizitë u regjistrua shumë pak, si shumë modeste, sepse aty nuk ishte vetëm gruaja e presidentit ukrainas, por edhe ministri i Jashtëm. Kjo është bërë edhe për faktin se opinioni publik ka një qëndrim kryesisht pro-rus. Në këtë kuptim, pranimi i krerëve të Ukrainës sigurisht që nuk është i popullarizuar për momentin”, theksoi Lopandiç.

E teksa ditët në vijim do të shënohen nga miratimi i paralajmëruar i Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, Igor Novakoviç e vlerëson luftën e autoriteteve në Beograd kundër kësaj Rezolute si mbështetje për Milorad Dodikun.

“Paradoksalisht, kjo histori erdhi në momentin e duhur për Vuçicin dhe Dodikun, të cilët kanë shumë probleme të brendshme. Kjo temë tani mund të përdoret për të mobilizuar njerëzit”  – vlerësoi Novakoviç.

Diplomacia serbe bëri përpjekje të mëdha për të penguar edhe hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që për momentin ia doli. Të premten (17 maj) Kosova nuk ishte në rend dite, sepse vendet e Kuintit këmbëngulën për fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Bashkëbiseduesit e DW nuk janë të sigurt se kjo është një fitore diplomatike e Serbisë, por më tepër flasin për hapat e gabuar që ka bërë Prishtina. “Këtë rezultat e solli mosbashkëpunimi që Kurti po tregon prej vitesh me faktorin ndërkombëtar dhe mohimi prej tij i një pjese të Marrëveshjes së Brukselit”, potencoi Dushko Lopandiç.

Edhe Igor Novakoviç ka mendim të ngjashëm: “Kosova ndoshta do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe çdo lëvizje që sugjeron se Asociacioni mund të jetë diçka më shumë se një organizatë e zakonshme joqeveritare mund të jetë e dëmshme për Kurtin”. Në këtë mënyrë, autoritetet e Kosovës po sillen shumë ngjashëm me autoritetet serbe, mjaft transaksionale dhe të palëkundura”.

 

Continue Reading

Shkrime

Mesazhi i Escobar e ‘Dosja Britanike’, Berisha-Meta jo më deputetë?!

Nga Jakin Marena

Opozita vijon të jetë e ndarë në disa pjesë, si pasojë e situatës kaotike në të cilën gjendet PD, partia më e madhe opozitare në vend.

Themi se gjithçka vërtitet rreth PD, sepse partitë e tjera, të ‘vjetra’ apo të reja s’kanë asnjë peshë specifike politike që mund të sjellin përmbysje elektorale dhe për pasojë rrotacion pushteti, i cili me shumë gjasa do të vijojë të jetë në dorë të PS dhe për shumë mandate.

Demokratët janë në dilema të mëdha, dhe ku për shkak sentimenti apo dhe ‘genin’ specifik të shqiptarit, për t’u atashuar rreth më të fortit, më shumë janë të grumbulluar rreth Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ndonëse janë pa asnjë shpresë për të ardhmen me një lider si Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe, dhe i trajtuar si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE ose jo, përfshirë dhe vendet e rajonit, me Kosovën në përbërje, ndonëse nën arrest shtëpiak për korrupsion e dosje të tjera si “Gërdeci”, “21 janari” dhe afera CEZ-DIA në ngarkim të tij ku më shumë dhe ku më pak, sërish demokratët që janë mbledhur rreth tij shpresojnë te ndonjë ‘tekë’ e fatit, ndërsa pjesa që i qëndron më afër, nuk kanë nga shkojnë, sepse kanë përfituar nga pushteti i tij.

Kalojnë nëpër mendje ardhjen në pushtet për herë të dytë më 2005 me votë, falë makinacioneve dhe përçarjes së PS që udhëhiqej nga Fatos Nano, teksa tetë vite më parë, më 1997, Berisha ishte hequr nga pushteti me pushkë, dhe shpresojnë se mund të përsëritet ky rast fatlum.

Për hir të së vërtetës lumi nuk lëviz dy herë në të njejtat brigje, sa herë që fryhet nga shirat por gjen rrugën më të shkurtër për t’u derdhur në det, por ama demokratët vazhdojnë shpresojnë me sytë ‘nga qielli’ dhe herë dhe të drejtuar nga kati i tetë i pallatit ku flet përnatë Berisha.

Gjithsesi janë të pashpresë për të ardhmen, dhe një grup më i paktët, sipas parimit të enëve kumunikuese lëvizin herë në krahun e PD zyrtare të udhëhequr nga Lulzim Basha, ‘birit plangprishës’ politik të Berishës, e herë tek Rithemelimi i udhëhequr nga ‘ati’ i tyre shpirtëror.

Në fund të herës demokratët kanë hyrë në vitin e ri zgjedhor, pa asnjë shpresë për të ardhur në pushtet, teksa po mbushin 12 vite në opozitë, dhe shumë prej tyre besojnë se PS dhe Edi Rama, kanë tërë mundësinë e Zotit për të qeverisur dhe mandate të tjerë, sa kohë që PD është në këtë shkallë degradimi politik. Por dhe në një krizë të fortë lidershipi.

Zhgënjimi shtohet akoma më tepër dhe për faktin se Berisha është i mbyllur në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, me vendim gjykate nën arrest shtëpiak dhe vetëm Zoti e di se si do të dalë në fund të herës përballë akuzave të rënda që janë në ngarkim të tij, e që SPAK, sado ta ketë marrë me nge këtë punën e Berishës, një ditë do të duhet që dhe dosjeve të rënda që përmendëm më sipër, t’u vërë nga një emër sipër dhe për pasojë të thotë dhe përgjegjësin kryesor për ta përballur me akuzat.

Njëherësh, Rithemelimi është një grupim politik në të ‘zezë’, pasi s’njihet ligjërisht dhe sa herë që partitë thirren nën ‘shërbim’, pra për t’u ballafaquar me votën e shqiptarëve, ka qënë dhe do të jetë i detyruar që kandidatët e vet t’i regjistrojë në emër të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, apo të ndonjë partie tjetër fantazmë me të cilën ka afri, nëse Meta tregon ‘oreks’ të madh politik.

Por dhe sikur Berisha të tërhiqet në këtë moment nga drejtimi i Rithemelimit për t’u marrë me punët e e veta në përballjen e rëndë dhe familjarisht më drejtësinë, gjasat janë të sigurta se sërish një ‘non grata’ do ta udhëheqë këtë grupim politik.

E pranoi vetë një natë më parë Argita Berisha Malltezi në një emision televiziv, se drejtimi i Rithemelimit nuk do të dalë jashtë familjes Berisha. Pra, në mungesë të të atit Argita do të marrë drejtimin e Rithemelimit, dhe kjo është e sigurtë. E kemi parë se pas të gjitha protestave dhe tek ‘Rrugica e Salës’ e para bashkisë, këto të fundit të dhunshme dhe me molotov, qëndron ‘dora’ e Argita Malltezit Berisha, një udhëheqëse në prapaskenë e këtij grupimi politik.

Nuk ka asgjë te keqe, kur e pranon dhe vetë. Madje dhe kur e bën të sigurtë ambicien e saj për të kapur drejtimin e Rithemelimit, pasi ka qënë dhe është pronë e Berishajve që në krye të herës, sepse si të tillë e ka trajtuar përmbi 30 e kusur vite në pushtet apo në opozitë.

E themi këtë dhe për faktin se për Berishën do dhe pak ditë që të skadojë afati 6 mujor ku ai do të humbasë mandatin e deputetit. Pasi s’ka asnjë gjasë të dalë dhe për shumë kohë nga arresti shtëpiak. Ndonëse nuk mungojnë zërat nga korridoret e Rithemelimit, ndoshta të hedhura dhe për konsum politik, që në ‘finishin’ e skadimit të afatit për djegien e mandatit të deputetit, Berisha do të bëjë një ‘kolpo’ politike të ngjashme me atë të 8 janarit kur sulmoi selinë e PD buzë Lanës, dhe do të kërkojë të jetë prezent me forcë në një seancë parlamentare. Megjithëse do të duhet të llogaritet si prezencë, dhe kjo bëhet nga administrata e Kuvendit. Por kjo do të kishte një kosto të lartë politike, dhe ata që e udhëzojnë mund ta groposin për të dytën herë, tashmë tamam, pasi mund t’i rezervojë arrestin me burg në qeli kësaj radhe, për shkelje të vendimit të Gjykatës dhe dhunë.

Por Berisha nuk ka asnjë shans që të jetë deputet në legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pasi duke qënë ose nën arrest shtëpiak, ose në qeli, pengesat mund të fillojnë që në KQZ dhe përfundojnë në Komisionin e Rregullores e Mandateve, që mund të sjellin bllokimin e dhënies së mandatit të ri të deputetit. Në mos dekriminalizimi gjendja e arrestit do të jetë penguese që Berisha të mos hyjë në Parlament si deputet.

Rithemelimi me kryetarin nën arrest shtëpiak, pa mandat deputeti dhe të ‘prekshëm’ nga drejtësia tashmë pasi është pa imunitet, do të jetë si një qenie pa kokë që lëviz në kaos dhe pa orientim.

As ngjitja e Argitës në krye të Rithemelimit nuk zgjidh punë. Përkundrazi e zhyt më tepër këtë grupim politik në greminë. Kjo ndodh për shkak se Argita si tërë familja e saj është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ka dhe bashkëshortin Jamarbër Malltezi në arrest shtëpiak për pastrim parash dhe përfitime nga vjehrri ish kryeministër Sali Berisha, me ngritjen e kullave shumëkatëshe dhe me vlera të forta monetare prej 5.4 milionë euro. Të pajustifikuara këto sipas drejtësisë.

Nëse Berisha, për shkak dhe të moshës biologjike pasi është 80 vjeçar, mund të jepte shpresa për Rithemelimin se do çlirohej një ditë nga lideri ‘non grata’ dhe nën arrest për korrupsion, marrja e drejtimit nga Argita vajza e tij, i humbet të gjitha këto shpresa për 20 vitet e ardhshme sëpaku, pasi mosha e saj është e re dhe ambicia e saj është e madhe për të mos e dorëzuar vetë lidershipin e Rithemelimit. Ia ka shuar shpresat dhe Gaz Bardhit e grupit të tij, pasi pikërisht për të trashëguar Rithemelimin nga Berisha në largim ka bërë tërë ato ‘pirueta’ duke ikur nga PD e Bashës dhe duke u rikthyer tek ‘armiku’ Berisha.

Por dhe tek aleati më i mundshëm, Ilir Meta kryetar i Partisë së Lirisë, situata nuk është aspak e qetë. Kjo duket hapur dhe nga luhatjet e humorit të Metës, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë ‘mbret’ i rrjeteve sociale, me deklaratat që bën, mënyrën se si i qaset publikut, herë duke udhëtuar nëpër male, herë duke u kacavjerrur nëpër platforma metalike, herë në ambiente të mbyllura në palestra me veglat e forcës në dorë. Pa përjashtuar këtu qasjen sportive si tifoz i fortë i Celtic-ut, nën dëshirën e fortë për të imituar këmbënguljen proverbiale të malësorëve skocezë.

Dhe Meta ka dosje të hapura në SPAK, duke filluar nga verifikimi i pasurisë, lobimi në SHBA dhe ndërhyrjet estetike të tij dhe bashkësortes Monika Kryemadhi, por dhe për aferën CEZ-DIA e akuza të tjera të forta, të cilat do të duhet t’i vertetojë. Sepse nuk mund t’ia lërë të gjitha në kurriz bashkëshortes Monika, dhe për çështje burrërie sëpaku. Këtyre akuzave u qëndron afër dhe ajo që është bërë nga ana e Filip Talos si spiun i Sgurimit të Shtetit, e ku Autoriteti i Dosjeve e ka dhënë verdiktin e vet: Ilir Metaj ka spiunuar tek Sigurimi i Shtetit kur ka qënë student.

Meta ka hapur gjyq dhe kërkon të vërtetojë se është një adash i tij ai që i bëri gjëmën Talos. Hetimi ka nisur, Prokuroria e Tiranës thirri Talon, i cili u qëndron deklaratave që ka thënë në Autoritetin e Dosjeve dhe në ambasadë. Nuk dimë cilën deklaratë të marrim për bazë, atë që ka bërë në fillim apo atë që e bëri në atë version, por të ndryshuar. Koha do ta vertetojë. Në fund të herës ajo që dimë është se dhe PL rrezikon të jetë në Parlament, pa Metën në radhët e veta si deputet, pasi kreu i kësaj partie, në mos nga njëra akuza në tjetrën do ngecë e nuk e shkel derën e Parlamentit si deputet me mandat të certifikuar.

Ky është problemi për opozitën kryesore në vend, pasi dy grupimet më të mëdha politike, mund të prezantohen pas vitit 2025 me kryetarë ‘non grata’ në Parlament, pa asnjë mundësi që të shkelin në derën e Kuvendit. Dhe kjo ndikon fort tek mbështetësit e tyre.

Dhe një shpresë sado të vagët që ka Rithemelimi tek vendimi i Apelit më 11 qershor për çështjen e vulës dhe logos së PD, shanset më të mëdha janë që kjo mundësi t’i jepet Lulzim Bashës dhe PD zyrtare. Për të qënë ata posedues të vulës dhe logos së PD e për ta lënë sërish Rithemelimin në të ‘zezë’. Pra jashtë listës së partive politike të regjistruar ligjërisht.

Pasi pikërisht në ‘metrat’ e fundit të rrugës drejt zgjidhjes së çështjes së kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Bashës, vjen dhe një mesazh, le ta quajmë i ‘koduar’, i të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Escobar të hënën, i cili foli posaçërisht për PD, jo për Rithemilimin. Dhe për PD me vulë dhe logo të saj, pra kush do të quhet PD pas 11 qershorit, me sa duket ishte fjala, dhe se rreth kujt duhet të bashkohen të demokratët, ku dukshëm kiy emër nuk është Berisha.

Escobar, mes të tjerave tha se ‘…më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës, me sa duket është një zgjedhje e zyrtarëve amerikanë për të mos i përmendur as emrin njeriut që e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhim të drejtësisë, Sali Berisha.

Mesazhi amerikan me sa duket është i qartë, PD duhet të jetë një forcë politike që të mos ketë në përbërje të saj njerëz që na kujtojnë kohët e këqija të viteve ’90, pra pa emrin Berisha në krye të saj. Njëherësh ky mesazh shkon indirekt dhe në drejtim të zgjidhjes së çështjes së vulës, e cila duhet të zgjidhet me drejtësi dhe të mos merret shembulli i gjyqtarit Zhukri. Tashmë Zhukri është jashtë sistemit të drejtësisë për të gjitha shkeljet e veta që ia konstatoi Vettingu.

Ndërkohë që vula me shumë gjasa mund të qëndrojë në duart e PD zyrtare, drejtimi i të cilës nuk ka shanse që të jetë në dorë të atyre që na ‘kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90”. Çka e bën akoma më të komplikuar situatën në grupimin më të madh opozitar Rithemelimi, që duhet të mendojnë një zgjedhje pa Berishën. I cili përpos mesazhit të zyrtarit të lartë amerikan, ka marrë dhe një mesazh të nxehtë nga Londra, për atë që quhet “dosja Britanike” dhe që ka të bëjë me shpalljen ‘non grata’ të Berishës atje. Të gjitha këto situata mund t’i çorientojnë akoma më shumë demokratët dhe tërë spektrin opozitar, teksa zgjedhjet parlamentare të 2025-ës janë në prag.

Që humbja e opozitës në këto zgjedhje është e sigurtë, këtë nuk e ka vënë askush në dyshim deri më tani. Misteri qëndron në faktin se sa e thellë do jetë kjo humbje, që ‘përkthehet’ automatikisht  në pyetjen se sa e thellë do të jetë fitorja e PS për të qeverisur në një mandat të katërt. Pasi sondazhet serioze deri më tani japin një fitore me mbi 84 mandate deputeti në këto zgjedhje për PS. Të presim, zgjedhjet nuk janë larg.

Continue Reading

OPINION

“SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet”/ Analisti: Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar

SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet – Nga Lorenc Vangjeli

SPAK-u është shndërruar në një sëpatë me dy tehe. Vret e pret në viset e politikës, administratës së lartë e pushtetit lokal dhe pret e vret edhe në trojet e helmuara në krimit të organizuar. Në pamje të parë duket se nami e batërdia po ndodh me tehun dhe shënjestrën e parë, por në Tiranë dukja gënjen gjithmonë. Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar, përtej çdo gjëje tjetër, janë sinjali i një strategjie të dukshme, për suksesin e të cilës është ende herët të flitet, por pasojat e saj direkte, janë një ogur i mbarë për shëndetin e politikëbërjes së nesërme: Po spastrohet fusha elektorale nga ndikimi i segmenteve të krimit në zgjedhje.

Një listë e pafundme me emra nën hetim, një pjesë në arrest, të tjerë në arrati dhe pothuaj të gjithë nën peshën e frikës, tanimë e ka humbur Eldoradon e tyre shqiptare dhe po humbet vlerën e saj si ofertë për ndikim në politikë. Pjesë të legjendës urbane të krijuar rreth tyre si rezervuarë të pasosur votash, të njohur për bëmat dhe gjëmat nga publiku, bejlerë arrogantë në çifligjet e tyre lokale, “bankierë” dhe sponsorizues të listave të pabesueshme me njerëz publikë në Tiranë, ata kanë kohë që janë dëshmuar si një pol jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqëri. Të pasur përtej përfytyrimit, herë diktues dhe kontrollues të trafikut të drogës, herë fajdexhinj që kreditojnë hallexhinj apo dhe biznesmenë që fitojnë tendera me kobure, miq që shkëmbejnë favore me njëri-tjetrin dhe armiq që shpërndajnë plumba e tritol ndaj njëri-tjetrit, ata tashmë kanë radhën të provojnë në lëkurë fatin e kthyer kundër tyre. Të egër dhe të pamëshirshëm, me një tentativë konstante për të hyrë në biznesin “normal” e për t’u shndërruar në biznesmenë në Shqipëri, shpesh pothuaj krejt analfabetë, ndryshe nga “kolegët” e tyre në Perëndim që përgjithësisht zgjedhin hijen në publik, ata kanë rrëmbyer vëmendjen provinciale të Tiranës duke demonstruar e duke u lëvduar me pasurinë gjigante apo të dashurat e famshme, makinat apo udhëtimet, ndikimin në politikë, në ekonomi apo në drejtësi. Për të arritur në ditën kur veç e veç e të gjithë bashkë, do të nisin të vërtetojnë për veten një aksiomë ndërkombëtare: Asnjë bandit nuk bëhet dot gjysh! Asnjë bandit nuk arrin moshën e pensionit! Përdorues dhe të përdorur nga segmente të politikës, në mos lufta brenda llojit, goditja e ligjit, po bën që jeta e tyre e shkëlqyeshme, mes luksit dhe vanitetit qesharak që kanë zgjedhur të bëjnë, të shuhet shpejt.

Falë dekriptimit të komunikimeve të tyre të dikurshme, gjithë jetëshkrimi i tyre është tashmë një “ditar” i lexuar nga shumëkush dhe jo vetëm në shqip. Në këtë lloj ditari të zi gjen konfliktet dhe miqësitë mes tyre, vrasjet dhe vëllazëritë, punët e kryera dhe aleancat me personazhe të rëndësishëm të politikës, por dhe policisë, provat e korruptimit të dhe bashkëjetesës hibride me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Pronarët më të mëdhenj realë të Real Estate-s në Shqipëri dhe gjetkë, zotërues apartamentesh, vilash e trojesh të pafundme, ata janë gjithashtu posedues të një sasie të frikshme cash-i, i pamundur për t’u llogaritur, por përtej masës që mund të lëkundë edhe ekuilibrin makroekonomik të vendit. Deri më sot, në bashkëjetesën kriminale të tyre me segmente të politikës, të sistemit gjyqësor, të policisë dhe më gjerë, ata kanë qenë çakalli që ka bërë kërdinë kur vëmendja e publikut ulërinte për ujqërit e foltoreve politike.

Të pafuqishëm për të ndaluar, kontrolluar dhe devijuar goditjen dy tehëshe, segmente të politikës në veçanti dhe krimi në përgjithësi, tani po ballafaqohen me goditjen seriale për të spastruar fushën elektorale për zgjedhjet e ardhshme nga ndikime kriminale.

Eshtë urgjencë kombëtare dhe çështje e sigurisë kombëtare që të shprishet përfundimisht simbioza e frikshme mes politikës dhe krimit. Kush duhet të ikë në fillim në këtë marrëdhënie si ajo mes pulës dhe vezës, në dilemën kush shpiku kë? Me të gjitha gjasat, në politikën që e votojnë shqiptarët, por nuk e zgjedhin, nuk janë më shumë se një duzinë me njerëz politikë që kanë realisht peshë publike. Të tjerët peshojnë më pak se një qime mjekre dhe shtrydhen më lehtë se një puçër shpine. Në botën e krimit është ndryshe. Ata janë shumë më shumë dhe shumë më të vështirë për t’u goditur. Duke nisur me ta, duke sekuestruar paratë dhe rezidencat e krimit, simbioza krim-politikë që i merr frymën vendit, mund të mbetet pa frymë.

Përtej dyshimeve se çdo të ndodhë nesër, kohët kanë ndryshuar. Kush nuk e kupton, ka kohë ta kuptojë edhe më pas, qoftë në rolin e spektatorit skeptik të llojit: “Ky vend nuk bëhet!”, qoftë në rolin e protagonistit që duhet të përgatisë triko të bollshme leshi për dimrin që këtë vit po vjen shumë më herët në Shqipëri. Aty ku Real Estate i burgjeve, po mbushet me viktima të sëpatës me dy tehe.

Continue Reading

Shkrime

Nesër do jetë ditë e vështirë, vuloset e ardhmja e Kosovës

Analisti dhe profesori amerikan i universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, thotë se pyetja e pashmangshme sot, sa herë që përmendet Ballkani, është se çfarë do të bëhet me Asociacionin?

Beogradi dëshiron që ai të formohet brenda Kosovës. Amerikanët dhe evropianët po insistojnë gjithashtu. Por, autoritetet e Kosovës po rezistojnë për të kundërtën. Çfarë duhet bërë?

Në një tekst autorial analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, tha se “Prishtina u pajtua ta formonte Asociacionin në vitin 2013, në atë që u quajt “Marrëveshja e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.

Sipas tij, kjo marrëveshje e panënshkruar parashikonte që Asociacioni të kishte “përmbledhje të plotë të fushave si ekonomia, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural”. Gjithashtu, thuhej se autoritetet qendrore mund t’i delegonin komunave me shumice serbe, edhe kompetenca shtesë.

“Marrëveshja e vitit 2013 parashikon që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së. Deri më tani, as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes” – ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan i universitetit John Hopkins, tha gjtihashtu se Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, teksa ishte në opozitë, e kundërshtoi formimin e Asociacionit. Edhe tani në pushtet, ai po vazhdon t’i rezistojë zbatimit, pavaresishte se presidenti serb Aleksander Vucici, vazhdon të insistojë në formimin e tij”.

Por, sipas Serwer, krijimi i një “bote serbe” në Kosovë, ka ngritur dyshime.

“Popullata në Kosovë shqetësohet se Serbia me anë të Asociacionit po përpiqet të krijojë një zonë të veçantë, autonome, jashtë autoritetit të Kosovës. Kjo pasi një i ngjashëm ka çuar edhe në luftë në Bosnjë gjatë viteve ‘90.

Ndërkohë, Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo përfshin përpjekjet e fundit të tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Serwer duke kujtuar se “serbët janë tërhequr edhe nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore. Shteti serb gjithashtu ka bojkotuar zgjedhjet atje, ka rrëmbyer tre policë të Kosovës dhe ka shkaktuar trazira nga të cilat mbetën të plagosur paqeruajtësit e NATO-s, si dhe organizoi një sulm terrorist shtatorin e kaluar. Secila nga këto përpjekje llogaritet sfidë ndaj kornizës ligjore për të cilën Beogradi kishte rënë dakord se do të zbatohej në Kosovë”.

Për arsye që ende nuk dihen, Serwer theksoi se amerikanët dhe evropianët i premtuan Beogradit zbatimin e Asociacionit pa asnjë kusht. “Por, ata premtuan se ai nuk do të bëhet një nivel i ri qeverisjeje. Megjithatë, ata nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen për këtë në një marrëveshje zyrtare qeveritare”……………..

Serwer tha gjithashtu se evropianët kanë sjellë pasoja për dështimin në themelimin e Asociacionit dhe kanë vonuar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai këtë e quan “keqpërdorim diplomatik”, duke theksuar se nuk ka kuptim që pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me zbatimin e Asociacionit. “Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ndër tjera, serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi duhet ta përfundojë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim si dëshmi që e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar Daniel Serwer.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING