Aktualitet
Investigoi mafian shqiptare/ Gazetari italian kërcënohet me jetë
Nello Trocchia, një nga gazetarët më të njohur investigativ në Itali, korrespondenti i Il Domani, është marrë në mbrojtje të posaçme nga Departamenti i Sigurisë Publike i Ministrisë së Brendshme dhe Prefektura e Romës, për shkak të kërcënimeve me jetë.
Gazetari kishte qenë nën mbikëqyrje herë pas here që nga viti 2015, por kohët e fundit mesazhet kërcënuese, të cilat janë depozituar në Drejtorinë e Qarkut Anti-Mafia të Romës, ishin bërë më të shpeshta dhe shqetësuese, si personalisht ashtu edhe në mediat sociale.
Në këto kushte, atij i është caktuar një truprojë që do e shoqërojë çdo kohë. Me Nello Trocchian, numri i gazetarëve të detyruar të jetojnë nën mbrojtjen e policisë për shkak të punës së tyre në shërbim të së drejtës së qytetarëve italianë, shkon në 29.
Gazetari ka bërë investigime për vite me radhë për krimin e organizuar dhe ka marrë kërcënime të përsëritura, gjë që e shtyu Drejtorinë e Qarkut Antimafia të hapte një hetim dhe Prefekturën e Romës, së bashku me Departamentin e Sigurisë Publike, të forconte masat e mbrojtjes.
Nello Trocchian ka investiguar klanet romake, veçanërisht klanin Casamonica, mafian shqiptare, infiltrimin e mafias në komunat italiane dhe periudhën e gjatë të të arratisurit Matteo Messina Denaro.
“Institucionet kanë vendosur të rrisin nivelin e mbrojtjes për mua duke caktuar një truproje. Falënderoj ata që janë përgjegjës për sigurinë time”, komentoi Trocchia në Il Domani, duke shtuar: “Thjesht ndiej një ndjenjë të ripërtërirë përgjegjësie që duhet të shoqërojë profesionin tim. Do të vazhdoj të tregoj histori dhe territore të plaçkitura nga fuqitë kriminale, një qytet, kryeqyteti i vendit tonë, i cili është bërë një qendër për trafikun e drogës. Falënderoj gazetën time, njerëzit që mbështesin punën time, të dashurit e mi, kolegët që kanë shprehur mbështetjen e tyre.”