Connect with us

Kronike

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri

TIRANË- Pasuritë e dy shqiptarëve nga Kosova, Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut, të cilët po hetohen nga autoritetet gjermane për trafik në sasi të mëdha nga Amerika Latine në Gjermani, janë sekuestruar nga SPAK.

Njoftimi i SPAK
‘Në zbatim të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, të ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin pasuror nr.5, datë 26.02.2024, në lidhje me pasuritë në zotërim të subjekteve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe personave të lidhur me ta.

Subjekti i këtij procedimi pasuror Princ Dobroshi, shtetas i Republikës së Kosovës, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Gjithashtu nga burime të hapura, siç janë mediat online, si dhe informacioneve të partnerëve, rezultonte se Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Subjekti tjetër i këtij procedimi pasuror Olsi Syziu, shtetas i Republikës së Shqipërisë, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike të një sasie të konsiderueshme”, si pjesëtar i një bande, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020 dhe më pas, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani, si dhe ka shpërndarë lëndë narkotike  në Gjermani.

Subjektet e hetimit pasuror kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin, pasi Princ Dobroshi ka për grua motrën e subjektit Olsi Syziu.

Nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë bërë hetime në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme prej subjekteve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe personave të lidhur me ta.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.10, datë 27.02.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve nën hetim pasuror Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe të personave të lidhur me ta.

Në zbatim të urdhërit të ekzekutimit të datës 29.02.2024, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga oficerët e shërbimit të Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e poshtëshënuara:

1.    Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;

2.    Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;

3.    Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

4.    Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

5.    Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;

6.    Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.

7.     Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.’- njofton SPAK.

Kronike

Tragjike/ 18 vjeçari shqiptar bie nga 10m lartësi, në gjendje të rëndë shëndetësore

Një punëtor me origjinë shqiptare, vetëm 18-vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth 10 metrash. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në Via Senato, në qendër të Milanos.

I riu ishte duke punuar në një kantier ndërtimi brenda një pallati në rinovim, kur për arsye ende nën hetim ka rënë në një boshllëk.

Zjarrfikësja e Milanos ndërhyri në vendngjarje për sigurimin e të riut dhe nxjerrjen e tij në sipërfaqe, nëpërmjet një manovre komplekse dhe të detajuar.

I riu shqiptar është transportuar në spitalin e Niguardës me kod të kuq, gjendja e tij është e rëndë.

Continue Reading

Kronike

“Benzi” përplas këmbësorin në Fier, 71-vjeçari në gjendje të rëndë shëndetsore

Një aksident është regjistruar rreth orës 16:40, në rrugën “Jani Bakalli” në Fier. Mësohet se një 35-vjeçar me inicialet K. C., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka përplasur këmbësorin, një 71-vjeçar me inicialet D. T.

Po ashtu bëhet me dije se 71-vjeçari ndodhet në spital, në sallë të operacionit, në gjendje të rëndë shëndetsore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

 

Njoftimi:

 

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 16:40, në rrugën “Jani Bakalli”, Fier, shtetasi K. C., 35 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka përplasur këmbësorin, shtetasin D. T., 71 vjeç.

Shtetasi D. T., ndodhet në spital, në sallë të operacionit, në gjendje të rëndë shëndetsore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Continue Reading

Kronike

Çela kërcënoi me armë punonjësit e ndihmës sociale, arrestohen bashkëpunëtorët

Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në fshatin Buzaishtë, pranë Pogradecit, pasi dyshohet se ndihmuar Spartak Çelën të arratisej pas konfliktit me punonjësit e ndihmës sociale.

Kujtojmë se ditën e djeshme 39 vjeçari Çela, pasi u konfliktua me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t’i marrë atij, dy celularë dhe një orë dore.

Në pranga u vunë A. H., 40 vjeç dhe B. H., 38 vjeç.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e Spartak Çelës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit A. H., 40 vjeç dhe B. H., 38 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë.

Nga veprimet hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Buzaishtë, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë larguar me automjet nga vendi i ngjarjes, autorin e dyshuar, shtetasin S. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec.

39 vjeçari pasi u konfliktua me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t’i marrë atij, dy celularë dhe një orë dore.”- njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Continue Reading

Kronike

Me kok*ainë me vete, arrestohet 26-vjeçari në Shëngjin, momenti kur prangoset

SHËNGJIN– Një 26-vjeçar është arrestuar në Shëngjin, pasi është kapur me kokainë me vete. 26-vjeçari Emiljano Bibi dyshohet se do ta shiste drogën në zona të ndryshme të Shëngjini.

Në pamje të ndara nga policia, shihej edhe momenti kur 26-vjeçari është shtrirë në tokë nga efektivët të cilët i vënë dhe prangat. Në xhep dallohet edhe kokaina e mbështjellë me qese.
“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional antidrogë “Tempulli 2”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë finalizoi operacionin e koduar “Zona”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Emiljano Bibi, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një qese me rreth 162 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte siguruar me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza në Shëngjin”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë.

Continue Reading

Kronike

Vodhi makinën të moshuarit dhe e përdori për manovra të rrezikshme, arrestohet 37-vjeçari

Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim është vënë në pranga pasi i vodhi makinën një të moshuari.

Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Shkodër, sapo është njoftuar se shtetasit I. D., 70 vjeç, i kishin vjedhur automjetin tip “Ford”, në lagjen “10 Korriku”, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Si rezultat, u vu në pranga shtetasi R. Sh., 37 vjeç. Ai u kap në flagrancë teksa kryente manovra të rrezikshme, me automjetin e vjedhur. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING