Connect with us

Bota

Rëndohet bilanci/ 57 viktima, mbi 48 mijë emigrantë u kthyen nga Ceuta në Marok

Kriza migratore në enklavën spanjolle të Ceutës po hyn në një fazë më të qetë, pasi shumica e emigrantëve që hynë në mënyrë të parregullt në territorin spanjoll janë rikthyer në Marok. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Spanjës, deri në orën 18:00 të së premtes janë regjistruar mbi 48 mijë e 300 kthime, ndërsa në Ceuta kanë mbetur rreth 1 mijë e 700 persona.

Megjithatë, situata humanitare mbetet dramatike për shkak të numrit të lartë të viktimave. Raportimet bëjnë me dije se pranë brigjeve të Ceutës janë nxjerrë nga deti rreth 60 trupa, ndërsa të paktën 57 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të hyrë në territorin spanjoll. Shumica e viktimave dyshohet se u mbytën teksa tentonin të kalonin me not digën kufitare të El Tarajalit.

Autoritetet spanjolle paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje në ujërat pranë kufirit. Në operacion janë angazhuar edhe dy ekipe zhytësish të Grupit të Veprimtarive Speciale Nënujore (GEAS) të Gardës Civile.

Zhvillimet në Ceuta kanë shkaktuar reagime zinxhir në Evropë. Franca ka shtuar masat e sigurisë përgjatë kufirit me Spanjën, duke dislokuar forca shtesë, avionë dhe dronë për monitorimin e situatës. Ndërkohë, Italia ka vendosur të rikthejë përkohësisht kontrollet kufitare për udhëtarët që mbërrijnë nga Spanja me rrugë ajrore dhe detare.

Për situatën reagoi edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet në Ceuta dhe e përshkroi krizën migratore si një “pushtim”, duke e cilësuar atë një çështje me rëndësi të madhe për sigurinë kufitare.

Advertisement