Politike
Peleshi: Shqipëria më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian
U prezantua sot në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë projekti “EU for Democracy”, një program i Bashkimit Europian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA III), që synon forcimin e rolit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Drejtori i Programit Rajonal për Europën në International IDEA, Sam van der Staak, zëvendëskryetarët e Kuvendit, përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, si edhe drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit e vlerësoi projektin si një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve parlamentare dhe në forcimin e funksioneve legjislative e mbikëqyrëse të Kuvendit. Ai theksoi se programi do të kontribuojë në rritjen e transparencës parlamentare, zgjerimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe median, si dhe në përshpejtimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Kryetari Peleshi u shpreh se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në BE, duke nënvizuar ritmin e shpejtë të negociatave dhe mbështetjen e gjerë publike për integrimin europian. Sipas tij, Kuvendi ka marrë përgjegjësi të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me kapitujt e sundimit të ligjit dhe ka miratuar 23 ligje në kuadër të procesit të negociatave.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se reformat e lidhura me procesin e integrimit europian synojnë forcimin e transparencës dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike, garantimin e shërbimeve cilësore për qytetarët, aksesin në drejtësi, mbrojtjen e të drejtave dhe respektimin e standardeve europiane në fusha të ndryshme. Ai theksoi se një Kuvend i fortë, transparent dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për avancimin e këtyre reformave dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndërsa Sam van der Staak theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes së shoqërisë civile dhe medias në proceset demokratike dhe integruese.
Diskutantët e tjerë që morën fjalën nënvizuan rëndësinë e forcimit të rolit të Kuvendit në procesin e integrimit europian, rritjes së transparencës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si elementë kyç për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Projekti “Strengthening the Albanian Parliament for EU Integration”, i zbatuar nga International IDEA dhe i financuar nga Bashkimi Europian, synon të forcojë kapacitetet institucionale të Kuvendit, të rrisë cilësinë e procesit legjislativ dhe mbikëqyrës, si dhe të përmirësojë transparencën dhe gjithëpërfshirjen e veprimtarisë parlamentare në funksion të procesit të anëtarësimit në BE.