Kronike
Pengmarrja dhe tragjedia në Roskovec, eksperti i sigurisë zbulon të shkuarën e errët të 35-vjeçarit
Detaje të tjera kanë dalë në lidhje me Refit Buzin, 35-vjeçarin që vrau ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën e tij në Roskovec, ndërsa më pas mbajti peng ish-partneren dhe në fund i dha fund jetës.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë televizive, bëri të ditur se Buzi kishte një të kaluar problematike në Angli. Sipas tij, 35-vjeçari ishte rrëmbyer vite më parë dhe autorët kishin kërkuar 400 mijë paund për lirimin e tij. Ai tha se operacioni për shpëtimin e tij ishte realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve britanike dhe atyre shqiptare.
“Autori i dyshuar i vrasjes ka një historik në shtetin anglez. Dhe atje është marrë peng, ka pasur një pengmarrje, ku është kërkuar një gjobëvënie në vlerë 400 mijë paund për t’u liruar dhe ka qenë një operacion i përbashkët midis policisë shqiptare dhe asaj angleze për lirimin e tij”, u shpreh Softa.
Në analizën e tij, eksperti argumentoi se ngjarja nuk duket të jetë rezultat i një konflikti të çastit, por i një veprimi të menduar më parë. Sipas tij, mënyra se si autori kishte vepruar dhe fakti që ishte i armatosur tregojnë se kishte planifikuar sulmin.
“Kjo situatë nuk mund të jetë kaq e thjeshtë, por duhet parë historiku i marrëdhënieve të tij me partneren, në çfarë raportesh kanë qenë, nëse kanë pasur konflikte të mëparshme, nëse faktorët e këtij konflikti kanë qenë baza ekonomike apo jo. Fakti që vjen nga Anglia në Tiranë ka një paramendim. Nuk besoj se është një ngjarje e atij çasti, ku konflikti ka përfunduar me vrasje. Fakti që ka qenë i armatosur ka treguar një paramendim në këtë ngjarje. Fillimisht ka marrë të atin e partneres, ka plagosur të ëmën, e cila, për shkak të plagëve të marra, nuk ka mbijetuar, pra ka pasur dy viktima dhe momenti i rrethimit ka pasur dhe pengmarrje. Pra, ka një qartësi mendimi. Nuk është vetëm hakmarrje, por dhe pengmarrje”, deklaroi ai.
Ngjarja ndodhi paraditen e 24 korrikut në Roskovec. Sipas të dhënave të deritanishme, Refit Buzi qëlloi me armë zjarri ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, i cili humbi jetën në vend. Edhe ish-vjehrra, Belere Plaka, mbeti e plagosur rëndë dhe ndërroi jetë më vonë në spital. Pas krimit, autori mori peng ish-partneren e tij dhe qëndroi për disa orë i rrethuar nga forcat e policisë dhe RENEA-s. Në përfundim të operacionit, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe u vetëvra brenda automjetit të tij.
Një nga pistat që po verifikohet nga hetuesit lidhet me refuzimin e 23-vjeçares për t’u rikthyer në lidhje me ish-partnerin. Të dy kishin bashkëjetuar më parë në Tiranë, ndërsa e reja ndiqte studimet për infermieri.
Sipas të afërmve të vajzës, diferenca në moshë mes tyre ishte e konsiderueshme. Ata ishin fejuar dhe kishin jetuar së bashku për një periudhë, por më pas ajo vendosi t’i jepte fund marrëdhënies për arsye që ende nuk janë sqaruar. Familjarët pretendojnë se pas ndarjes, 35-vjeçari e kërcënonte vazhdimisht me armë, duke e detyruar të ndërpriste studimet dhe të kthehej në fshatin e lindjes.
Po sipas tyre, Buzi ishte arrestuar disa herë dhe së fundmi ndodhej nën masën e arrestit në shtëpi.
Familja Plaka: “Na kishte kërcënuar se do të na vriste të gjithëve”
Të afërmit e viktimave deklarojnë se krimi ishte paralajmëruar prej kohësh. Vëllai i Kostë Plakës tregoi se autori kishte bërë vazhdimisht kërcënime ndaj familjes.
“Bërtisnin brenda, nuk shkuam të shikonim brenda se nuk kishim armë. Ai thoshte hajdeni se do t’ju vras të gjithëve! Merr policinë… Policia ka ardhur pas një ore! E ka marrë çuni, ta tregon ai.”
I pyetur nëse e kishte parë autorin duke i kërcënuar, ai u përgjigj:”E kishte lënë makinën nga pjesa mbrapa, e mori dhe çupën, iku!”
Për situatën mes çiftit, ai shtoi:”Po, këtu qëndronte… Kishin probleme, tre herë është arrestuar e tre herë ka dalë. Ai shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë, e futën, pas një muaji e nxorrën prapë. Këtu ishte në arrest shtëpie se gjithmonë kërcënonte. I thoshte vajzës do vish këtu te unë, ti pa mua nuk bën… Do ju vras të gjithëve! Ka qenë e parashikuar kjo, shantazhi që ka bërë ai… Po bën kohë! Vajta brenda, vëllai shtrirë atje, kunata shtrirë…”
Edhe nipi i 58-vjeçarit tha se familja kishte denoncuar më herët sjelljen e autorit dhe se kishte frikë se kërcënimet mund të përfundonin në tragjedi.
“Ngjarja ishte paralajmëruar disa herë. Policia e arrestonte, por më pas prokuroria e lironte. Ja ku jemi sot… Nusja e xhaxhait ndodhet në spital dhe ende nuk e dimë gjendjen e saj. Ai ka marrë me vete edhe vajzën, e cila është vetëm 23 vjeçe. E ka kërcënuar edhe më parë, madje edhe në Tiranë, dhe ka përdorur armë ndaj saj.”
Pretendimet e familjes së autorit
Ndërkohë, prindërit e Refit Buzit pretendojnë se konflikti me familjen e ish-bashkëjetueses kishte në qendër një mosmarrëveshje financiare.
Sipas tyre, 35-vjeçari kishte dërguar para nga Anglia gjatë kohës që jetonte me të renë dhe, pas ndarjes, kishte kërkuar kthimin e shumës, por kërkesa nuk ishte pranuar.
Babai i autorit deklaroi se kjo ishte pika ku marrëdhëniet mes palëve u përkeqësuan.
“Ka pasur konflikte me familjen e vajzës, por saktë nuk i dimë gjërat. Që kur ka ardhur, që u kthye sepse ishte jashtë, kishte dërguar disa lekë. I kishte dërguar në emër të saj. Kur kthehet që andej i kërkon ato lekë, që atje u shkatërruan, por nuk i di muhabetet e sakta. Që ato ditë u prish muhabeti. Ajo sa herë që vinte këtu na thoshte që të mos u tregonim prindërve të saj. Vinte fshehtas. Vinte pa lejen e prindërve, takohej me Nertilin. Edhe para se të hapej ky muhabet.”