Politike
Rama krahason dy momentet: 26 maji i ’96-ës kur na rrihte regjimi brutal i PD…
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një takim në qytetin e Korçës në kuadër të përvjetorit të Partisë Socialiste, nga ku ka bërë një krahasim mes dy momenteve që mbajnë të njëjtën datë, por që sipas tij përfaqësojnë dy momente krejtësisht të ndryshme për vendin.
Rama u ndal te koincidenca e datës 26 maj, duke kujtuar fillimisht vitin 1996, kohë kur socialistët në opozitë u përballën me dhunën e pushtetit të atëhershëm të Partisë Demokratike, dhe duke e krahasuar atë me 26 majin e sukseseve të fundit në rrugën e integrimit europian.
“Një koincidencë e madhe bashkoi një datë, 26 majin. Dy momente domethënëse të PS. 26 maji i vitit 1996, ku socialistët u përballën med furinë e një dhune dhe brutaliteti që e vuri Shqipërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë. Ai moment e vendosi PS-në në një situatë jashtëzakonisht dramatike. Ata që ishin në vijën e parë u dhunuan barbarisht, ashtu sikundër u dhunua dhe u grabit rezultati i atyre zgjedhjeve nga pushteti i degraduar i PD-së,” u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri vijoi me tone të ashpra akuzat ndaj ish-pushtetit të djathtë, duke deklaruar se ajo periudhë ishte një regjim i vërtetë brutal, ku liria e opozitës shtypej me dhunë, diçka që sipas tij sot është e papërfytyrueshme.
“Ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm. Opozita dhunohej rregullisht. Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozitare, dhe edhe ajo u bë shkrumb e hi nga ai që ishte vërtet një regjim brutal. Ndërsa para pak ditëve, pikërisht më 26 maj, Partia Socialiste e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart, në majën që kemi amanet nga të parët tanë, ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar. Sot ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo në botë,” theksoi Edi Rama përpara socialistëve të Korçës.