Connect with us

Aktualitet

Premtoi ekstradim nga Turqia për 20 mijë euro, GJKKO shpall fajtor ish-oficerin

Zef Mali, ish-oficer i Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës, është shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ai është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi është ulur në 1 vit e 8 muaj burg. Gjithashtu, ndaj tij është vendosur dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Zef Mali akuzohej dhe është shpallur fajtor se i ka kërkuar dhe marrë shtetases Jemine Çoku shumën prej 20.000 euro, duke i premtuar se kishte “njerëz” në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët do i ekstradonin vëllain nga Turqia në Shqipëri.

Për shtetasen Jemine Çoku, SPAK ka kërkuar dënimin me disa muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ajo duhet të qëndronte vetëm 8 muaj në qeli. Mirëpo, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që kjo shtetase të lirohej menjëherë nga akuzat dhe dënimi, duke mos pranuar pretencën.

Një vit më parë, gardisti Zef Mali në bashkëpunim me shtetasin Kreshnik Domi, i kanë kërkuar dhe marrë shtetases Jemine Çoku shumën prej 20.000 euro duke i premtuar se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave për ekstradimin e vëllait të saj, Kujtim Çeliku nga Turqia drejt Shqipërisë.

Ata i kanë premtuar dhe siguruar Jemine Çokut se do të ushtronin ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë hetimeve është evidentuar se proceduara e transferimit të Kujtim Çelikut nga Turqia në Shqipëri kishte filluar.

Advertisement