Aktualitet
Qytetarët njëzëri: Pa rini nuk ka Shqipëri! Poshtë patronazhistët
Protestuesit kanë nisur marshimin nga Sheshi ‘Skënderbej’ drejt Kryeministrisë, të cilët prej 28 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit qytetarët kanë brohoritur njëzëri: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj Pazar”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”.
Prej 28 ditësh qytetarët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Ramës nga qeveria. Gjithashtu tubimit të kësaj të shtune i janë bashkuar edhe shumë emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme.
KËRKESAT E PROTESTUESVE:
Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës