Politike
Rama: Kam menduar të iki në katund dhe t’iu lë ta mbroni vetë vendin nga të huajt, por…
Kryeministri Edi Rama po flet nga mbledhja e grupit të PS ku po jep shpjegime për situatën e krijuar ditëve të fundit në Zvërnec si dhe për të sqaruar aludimet
Rama: Një vend që nuk ka frikë nga një projekt si ky ku partner të jashtëzakonshëm janë për bashkë për të investuar 4 miliardë euro. Jo si ndërtues që ndërtojnë, shesin e ikin, por si pronarë të terrenit, të cilin e kanë blerë me para të mbikëqyrura në mënyrë strikte nga Agjencia jonë për pastrimin e parave dhe nga ndërkombëtarët, një për një, me bankë. Jo nga Izraeli, por nga Katari. Nuk besoj që mund konsiderohet nga ata që konsiderojnë veten myslimanë, që vetëm myslimanë nuk janë. Dhe për ditë bëjnë krimin e ndaluar nga Kurani duke helmuar njerëzit me shpifje. Si mund të jem unë kundër jush dhe vetes, dhe gazetat greke, aleatët tuaj, që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtari, shitësi dhe ai është kryeministri juaj. Thënë këto dhe ndjesë nëse jam shumë I drejtpërdrejte dhe emocional, por kjo është ndjesia ime. Këto janë ditë të vështira që më kanë bërë të përulem për nderin e madh që më keni dhe t’iu kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe për t’iu lënë në duar që do të zgjidhni vetë pastaj për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt. Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’iu udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua aq sa ju dhe ashtu si e doni ju. Dhe t’iu udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur bashkërisht me votën tuaj. Me të cilën ja kemi ngritur kokën të gjithë shqiptarëve, me të cilën I kemi dhënë vlerën që ka flamurit tonë në sytë e të huajve dhe me të do ta bëjmë Shqipërinë vendin më për të patur zili në Mesdheun e sotëm. Dhe ky projekt është pjesë e kësaj përpjekje.
Kryeministri Edi Rama tha se fillimisht investitorëve i është refuzuar projekti për të ndërtuar në Zvërnec dhe se leja i është dhënë master planit pasi janë plotësuar kushtet e vendosura. Rama thotë se deri më tani nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar e as një studim mjedisor të përfunduar. Ndër të tjera Rama tha se kompania investitorë në Zvërnec, do të gjobitet për gardhin me gjemba, i vendosur për të rrethuar kantierin.
“Aplikimi është paraqitur pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit më 10.09.2024. Në mbledhjen e datës 25.09.2024, KKT e ka rrëzuar projektin dhe ka kërkuar që të zvogëlohet intensiteti i ndërtimit dhe të sigurohet ruajtja e lagunës.
Projekti është miratuar vetëm pasi janë plotësuar kushtet e vendosura. Në vitin 2024 nuk është miratuar një projekt arkitektonik dhe nuk ka as sot që flasim, pavarësisht se ju jeni zemëruar me të drejtë për atë që keni dëgjuar. Sot nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, ai nuk ekziston. Ajo që shihni nëpër filmat që duan t’ju nxisin, janë materiale të krijuara sipas logjikës ‘walk the dog’. Leja e masterplanit ka përcaktuar zonën zhvillimore, si dhe parametrat teknikë dhe urbanistikë.
Pasi projekti u refuzua, investitorët kanë angazhuar pesë studio arkitekturore nga më të mirat në botë. Së bashku me këto studio, kompania ka angazhuar edhe një grup inxhinierësh dhe ekspertësh mjedisorë ndër më të mirët në botë, të cilët edhe sot vazhdojnë të punojnë për përgatitjen e studimit mjedisor. Ne ende nuk e kemi atë studim.
Sot, e gjithë kjo luftë zhvillohet për një gardh me tela me gjemba, për të cilin kompania ka marrë përsipër të paguajë një gjobë të konsiderueshme. Ndërsa për dhunën e ushtruar, ajo kompani sigurie nuk do të punojë më në Shqipëri. Keni parë që investitorët kanë ardhur. Ka ardhur edhe ajo zonja në Vlorë, jo për pushime apo për fotografi, por së bashku me arkitektët dhe inxhinierët”, tha Rama.
Projekti në Zvërnec, Rama: Pishë-Poro s’është zonë e mbrojtur, lejon zhvillimin! S’po ndërtohet në Vjosë, ka nivelin më të lartë të mbrojtjes
Zona e Pishë-Poros për të cilën është protestuar gjatë fundjavës nuk është zonë e mbrojtur. Kryeministri Rama thotë se i përket kategorisë 5 së peizazhit të mbrojtur që lejon zhvillimin dhe bashkëjetesën me njeriun.
Rama tha se zona të mbrojtura janë Thethi e Vjosa, ku për këtë të fundit u shpreh se nuk po ndërtohet dhe as shkatërrohet, pasi gëzon mbrojtjen më të lartë.
“Pishë-Poro nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet edhe kategori e pestë: peizazh i mbrojtur. Për shpalljen peizazh i mbrojtur dhe të gjitha detajet, ka një vendim qeverie, por ajo që është e rëndësishme të thuhet dhe nuk iu është treguar, në 2017 këto kategori në ligjin tonë janë të adoptuara në mënyrë të plotë dhe thelbi i sistemit është i gjithi i linjëzuar me standardet më të larta ndërkombëtare. Sa më lart të shkohet në kategoritë 1 dhe 2, aq më shumë kufizohet ndërhyrja. Kategoritë 5, 6 janë të ndërtuara si kategori bashkëjetese mes peizaizhit dhe njeriut. Kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim. Në nenin 20 të ligjit të vitit 2017 përcaktohet se peizazhi i mbrojtur është një territor ku mund të ekzistojnë edhe qendra banimi dhe aktivitete të tjera. Konkretisht, në pikën 4 përcaktohet se veprimtaritë që ndryshojnë përdorimin e territorit, si ndërtimet, autostradat apo zonat urbane, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon t’i kryejë këto veprimtari pajiset me leje nga institucionet përkatëse. Nuk kemi bërë asnjë heqje nga asgjë. Pishë-Poro ka qenë peizazh i mbrojtur dhe vijon të jetë i tillë. Është e vërtetë që në vitin 2024 kemi bërë një amendim të ligjit, me një kërkesë të kryebashkiakëve të vendit, për të vendosur një ekuilibër mes potencialit për zhvillim dhe mbrojtjes së territoreve. Ligji ekzistues nuk merrte parasysh realitetet e tranzicionit. Thethi është zonë e mbrojtur. Legalizimet e të gjitha ndërtimeve të vjetra janë bërë me këtë ndërhyrje ligjore, sepse bëhet fjalë për një realitet të krijuar. Mos i ngatërroni këto me ata që u turrën të ndërtonin pa leje sapo morën vesh se të tjerët do të legalizoheshin. Nga ana tjetër, peizazhi i mbrojtur Pishë Poro–Nartë deri në vitin 2020 quhej Vjosë–Nartë. Nuk po ndërtohet në Vjosë dhe nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës. Vjosa ka nivelin më të lartë të mbrojtjes”, tha kryeministri.