Aktualitet
Sali Berisha i thirrur sot në SPAK, do merret në pyetje si person në dijeni
Sali Berisha është thirrur sot nga SPAK në lidhje me hetimin për krimin shtetëror të 21 Janarit. Kreut të PD-së i është dërguar fletëthirrja për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në orën 10:00 dhe për t’u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e katër protestuesve në bulevard, të cilët u qëlluan me plumba nga godina e Kryeministrisë në kohën kur Berisha ishte në pushtet.
Fletëthirrja është dërguar në tre adresa, në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo është thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur. Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.
Berisha tha se do të paraqitet në SPAK vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen, ndërsa sulmoi prokurorët duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.
Thirrja e Berishës vjen rreth dy javë pasi SPAK mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i Brendshëm. Më 30 tetor, Basha u mor në pyetje për rreth një orë, por në dalje nga Prokuroria e Posaçme ai nuk dha asnjë detaj, duke deklaruar se çështja është në hetim dhe se respekton sekretin hetimor.