Bota
Sulm masiv rus gjatë natës në Ukrainë, qindra dronë e raketa në Kiev
Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë gjatë mbrëmjes së djeshme në Kiev, duke përdorur qindra dronë dhe raketa. Të paktën një person u vra dhe 25 të tjerë u plagosën. Viktima u shënua në Desnianskyi dhe 25 të tjerë u plagosën, sipas The Kyiv Independent. Midis të plagosurve janë një grua shtatzënë dhe një fëmijë 10-vjeçar.
Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, 11 ndërtesa në Kiev u goditën gjatë natës. Një spital dhe një shkollë u dëmtuan gjithashtu. Vala e bombardimeve shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe ngrohjes në disa zona të kryeqytetit. Përveç Kievit, avionë luftarakë dhe dronë rusë u pikasën edhe në Kharkiv, Sumy dhe Odessa.
Ndërkohë, dronët ukrainas kanë bombarduar një terminal nafte në Novorossiysk, në Detin e Zi, raportoi TASS, duke cituar Komandën Operacionale të Krasnodarit.
“Në Novorossiysk, një depo nafte në kompleksin e transbordimit Sheskharis u dëmtua si pasojë e një sulmi me dron të regjimit të Kievit”, thuhet në deklaratën zyrtare. Sipas raportimeve fillestare, nuk pati të lënduar.