Aktualitet
U godit për vdekje? Ky është 78-vjeçari që u gjet i pajetë, dy pistat e hetimit
Personi që shikoni në foton e mësipërme është 78-vjeçari, Gëzim Vija, i cili u gjet i pajetë, mëngjesin e kësaj të enjte, brenda banesës së tij në Korçë.
Sipas Policisë, vdekja nuk ka ardhur për shkaqe natyrale, por i moshuari është goditur me mjete të forta në kokë.
Të gjithë familjarët dhe të afërmit e 78-vjeçarit janë shoqëruar në komisariat, ku janë marrë deklarime për konflikte të mundshme dhe situata të dyshimta brenda familjes.
Sipas raportimeve, hetimet janë përqëndruar në dy pista kryesore, vrasje gjatë një tentative vjedhjeje, edhe pse në banesë nuk janë konstatuar humbje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasje për motive të tjera.
Hetimet paraprake sugjerojnë se autori mund të ketë pasur njohje me viktimën, ç’ka dyshohet se i ka mundësuar hyrjen në banesë pa përdorur forcë. Një tjetër element që po hetohet është fakti se, pas krimit, dera e jashtme e banesës është gjetur e mbyllur me çelës, duke ngritur dyshime se autori është larguar duke tentuar të fshehë gjurmët.
Ndërkohë, pritet që ekspertiza mjeko-ligjore dhe dëshmitë e mbledhura të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.