Kosova
Zhgënjim tragjik nga Kallas/ Një vit me udhëheqjen e re të BE, çfarë (s’)ndryshoi për Kosovën
Gati një vit nga tranzicioni në udhëheqjen e Bashkimit Evropian, për të cilën liderët kosovarë kishin shprehur pritshmëri se do të avancojë procesin e integrimit evropian dhe do të rikthejë balancën në dialogun me Serbinë, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar.
Liderët e Kosovës kishin treguar simpati të madhe ndaj Përfaqësues së Lartë për Politikë të Jashme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke shpresuar se ajo do ta ndërrojë kursin e BE-së ndaj Kosovës, posaçërisht ndaj dialogut me Serbinë. Megjithatë, një vit pas, ajo zor se ka organizuar ndonjë takim të nivelit të lartë mes liderëve të të dyja vendeve.
Në fakt, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur pezull për më shumë se dy vjet, për shkak të ngërçit politik në Prishtinë dhe zhvillimeve dramatike në Beograd. Kosova është drejtuar sërish kah zgjedhjet e reja nacionale, kurse protestat anti-qeveritare nëpër rrugët e Beogradit vazhdojnë të thellojnë çarjen në themelet e regjimit në Serbi.
Gjithashtu, nuk ka pasur lëvizje konkrete për të hapur negociatat e anëtarësimit me Kosovën. Që prej aplikimit të Kosovës, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë midis Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës, Hungarisë, Polonisë dhe Danimarkës. E para e ka pranuar aplikimin zyrtar, por asnjë nuk e ka ekzaminuar dosjen e Kosovës.