Connect with us

Politike

“Miqtë e mirë duken në ditë të vështira”.

Ne kemi një fjalë të mençur dhe të urtë që thotë se “miqtë e mirë duken në ditë të vështira”.

Ashtu si 20 vite më parë, kur lindi kjo marrëdhënie mes Shqipërisë dhe NATO-s, në një moment tejet dramatik për botën, e cila përballej me një përshkallëzim të së keqes në trupin e saj si pasojë e terrorizmit, ne sot ndjehemi jashtëzakonisht mirë që jo vetëm në aspektin ushtarak, por mbi të gjitha në aspektin human jemi pjesë e këtij klubi fantastik vendesh që besojnë tek vlerat  lirisë, parimet e demokracisë dhe solidariteti.

I jam shumë mirënjohës SHBA-së që si gjithnjë, edhe në këtë rast, janë treguar të vëmendshme ndaj Shqipërisë dhe dua ta falënderoj në mungesë Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Zonjën Kim, e cila ma dha e para lajmin për këtë mbështetje kaq të çmuar dhe kaq të nevojshme në këtë fazë përballjeje me një armik kaq të pamëshirshëm, që i ka rënë ndesh jo vetëm shëndetit, por edhe mënyrës sonë të jetuarit. Po ashtu u jam mirënjohës të gjithë të pranishmëve këtu, të gjithë vendeve aleate, për të gjithë kontributin e tyre të çmuar në krah të Forcave tona të Armatosura. Mbase ky është momenti i duhur për të bërë edhe një retrospektivë të disa momenteve kur ne e kemi prekur nga afër mbështetjen e miqve tanë, me ndihmën e ardhur nga Polonia, me ndihmën e ardhur nga Holanda, Italia, Hungaria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës më parë për pjesë të ndryshme të së njëjtës bazë materiale që duhet në përballimin e kësaj sfide.

Është shumë e posaçme kjo që ndodh për një arsye shumë të thjeshtë. Ndryshe nga momente të tjera në të shkuarën, nuk është thjeshtë dhe vetëm Shqipëria që ka nevojë për ndihmë, por janë të gjitha vendet. Edhe vetë SHBA-ja kaloi një moment të jashtëzakonshëm dhe të befasishëm, kur kishin nevojë për ndihmë. Ishte momenti kur SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe plot fuqi të tjera të mëdha kishin mungesë maskash mbrojtëse, kishin mungesë respiratorësh, kishin mungesë medikamentesh adapt për të përballuar të keqen në trupin e qindra dhe mijëra njerëzve, që krijuan një fluks të paparë në sistemin shëndetësor të atyre vendeve.

Fakti që pavarësisht madhësisë dhe fuqisë së vendeve, të gjitha vendet gjenden në një anije dhe duhet të përballin dallgë vështirësish që godasin me të njëjtin intensitet kudo dhe ndërkohë, solidariteti nuk ka munguar dhe as vëmendja për vende më të vogla dhe për një vend shumë të vogël si Shqipëria, në raport me të tjerët, ka një domethënie historike dhe të paharrueshme për ne.

60 respiratorët që i shtohen sot, fuqisë sonë të instaluar për të përballuar këtë dimër, i cili do të jetë posaçërisht i vështirë, sipas të gjithë parashikimeve që bëjnë ekspertët në të gjitha vendet e botës dhe sipas parashikimeve të ekspertëve tanë për Shqipërinë, janë kuptimplotë jo vetëm në aspektin e aktit, të gjestit, por edhe në aspektin e ndihmës konkrete në fuqizimin e sistemit. Nga sot, edhe këta respiratorë do të jenë në vijën e zjarrit për të mbrojtur jetë, për të shpëtuar jetë.

Ndërkohë që ne si dhe vende të tjera jemi të angazhuar që të mos lejojmë që kjo krizë shëndetësore humanitare të shndërrohet dhe në një krizë sigurie. Kemi parë se çfarë ndodh në disa vende sot, ku kriza globale e shkaktuar nga COVID është vetëm një nga fytyrat e krizës më të thellë të sigurisë.

Nuk dua të humbas kohën tuaj të çmuar për të hyrë në më shumë detaje të kompleksitetit të kësaj beteje që e ka pjesë përbërëse sigurinë, mbrojtjen e demokracisë dhe paqes, në tërësi dhe në veçanti, për secilin vend. Nuk dua të zgjatem me sa shumë po bëhet nga Forcat e Armatosura sot, nga të dyja planet, në mbështetjen e domosdoshme për bluzat e bardha, për sistemin e mbrojtjes së shëndetit dhe në pjesëmarrjen e domosdoshme në misione dhe operacione të rëndësishme jashtë vendit, kudo ku Aleanca është e përfshirë dhe kudo ku trupat tona janë thirrur për të qenë prezentë dhe gati.

Por dua vetëm në nënvizoj përmes kësaj që sapo thashë se ky është një tjetër moment i jetës sonë të përbashkët, ku vlera dhe fuqia e Forcave tona të Armatosura del në pah me dinjitet dhe me efikasitet të plotë.

Këtu pas meje është pasqyra e një transformimi që vazhdon dhe është shprehja kuptimplotë e faktit se sot, ndryshe nga dje, Shqipëria ka në dispozicion një trupë të emergjencave civile që është e standardeve europiane. Një trupë të emergjencave civile ku jo vetëm janë plotësuar nevojat materiale, logjistike, por ku sot shërben një trupë që është në lartësinë e imazhit, në lartësinë e frymës, në lartësinë e profesionalizmit të Forcave të Armatosura si të tërë.

Përpara se të bëhesha Kryeministër dhe për shkak të detyrës kisha vëmendje të plotë edhe në këtë drejtim. Nuk e kam ditur dhe as e kam menduar në fakt, reputacionin e jashtëzakonshëm që gëzojnë Forcat tona të Armatosura në gjirin e NATO-s për nga niveli i tyre profesional.

Nuk e kam ditur dhe nuk e kam menduar që në rreshtin e gjatë të ushtrive shumë më të mëdha, shumë më me eksperiencë, shumë më të sofistikuara, njerëzit tanë vlerësohen si ekselentë në të gjitha nivelet.

Nuk e kam ditur dhe nuk e kam menduar që në stërvitje apo simulime  të bëra nga NATO-ja, skuadrat tona mund të arrinin deri në vendet e nderit në gara të jashtëzakonshme vështirësish ekstreme, siç ndodhi jo shumë  kohë më parë. Nuk ka kënaqësi më të madhe, sesa kur dëgjoj nga autoritetet më të larta të NATO-s, apo nga gjeneralë me hije të rëndë në takime që i sjell rasti, fjalë admiruese për Forcat tona të Armatosura.

Natyrisht që kjo rritje e profesionalizmit nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e aleatëve tanë në rritjen e kapaciteteve morale dhe profesionale të njerëzve tanë, por, padiskutim, kjo nuk do ishte e mundur nëse drejtuesit e lartë të ushtrisë sonë nuk do të ishin në lartësinë e detyrës. Sot më vjen mirë që takova Shefin e ri të Shtabit, të cilit i uroj me gjithë zemër të vazhdojë punën e mirë të paraardhësit dhe kam bindjen se është fat që në kulmin e karrierës të gjendesh në këtë mjedis, ku e gjithë eksperienca më e mirë e botës, në aspektin e fushës që mbulon, të jetë pranë teje në çdo moment.

Për ta mbyllur këtë fjalë, dua të rikthehem aty ku e nisëm dhe aty ku është dhe zanafilla e këtij takimi, tek lufta me armikun e padukshëm, e cila është një luftë tejet e vështirë në aspektin shëndetësor dhe për të cilën dua t’ju lutem, t’ju përgjërohem gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e bëjnë atë më të vështirë. Dua t’i lutem e t’i përgjërohem të gjithë atyre që nuk duan ta besojnë se sa e vërtetë dhe sa e vështirë është kjo luftë dhe mbyten në lugët e ujit të teorive të konspiracionit, apo të thashethemeve e llafeve që janë thjesht fukarallëk nëpër klube, duke e përqeshur rrezikun.

Ju lutem, të mos e vështirësojmë më tutje këtë.

Ju lutem të gjithë atyre që sot ushtrojnë aktivitetin e tyre në restorante, ushtrojnë aktivitetin e tyre nëpër bare, të mos e përqeshni rrezikun, të mos e sfidojnë shtetin, të mos e konsiderojnë tolerancën dhe mirëkuptimin tonë për vështirësitë e tyre si një dobësi dhe të mos vënë në rrezik jetën e tyre, të familjeve të tyre, por dhe të njerëzve, të cilëve u shërbejnë. Janë protokolle të përcaktuara që duhen respektuar.

Nuk është e vështirë për ne që të sulim Policinë e Shtetit nëpër lokale, nëpër restorante e bare, për të vendosur rregull, por a është kjo ajo që duam?

A është kjo ajo që duan ata që duan me çdo kusht të shfrytëzojnë çdo metër katror të lokalit dhe harrojnë që duke bërë kështu, rrezikojnë të kontribuojnë për mbylljen e lokalit edhe njëherë tjetër e të marrin pastaj mbrapsht një goditje marramendëse financiare, vetëm e vetëm sepse nuk duan të kuptojnë që nuk është koha për të shfrytëzuar çdo metër  katror, për të fituar disa lekë më shumë?

Çdo lek më shumë është i rëndësishëm për ata që merren me biznes, aq më tepër në këtë kohë të vështirë, por humbja që do të pasonte nga kjo sjellje përqeshëse ndaj rrezikut do të ishte katastrofike.

Për më tepër është e pabesueshme që, si mundet që në ndërkohë që kjo epidemi nuk është vetëm në Shqipëri, – larg qoftë të ishte vetëm në Shqipëri, nuk do na kishte besuar askush që kjo është një luftë e vërtetë, me natyrën filozofike dhe kreative që kemi ne si individë dhe që pas çdo gjëje kërkojmë një komplot, kërkojmë një arsye që nuk thuhet, apo një qëllim që nuk tregohet, – kjo është një situatë ku Gjermania, lokomotiva e Europës në dije, në shkencë, në ekonomi, në demokraci nuk të lë të ulesh në tavolinë në restorant me më shumë se 3 persona, nuk të lë të shërbesh në restorant pas orës 10 të darkës sot që flasim.

E pse?

Është një lojë e Bill Gates për t’i vënë cipa çunave të Laçit, apo djemve të Vlorës, apo për të dëgjuar live me satelit këngët polifonike përmes cipit në gojën e këngëtarëve?

Apo mos vallë është një përpjekje që cipi të bllokojë kordat e zërit të këngëtarëve të dasmave? Se është hata e madhe kjo punë.

Ju lutem, të sillemi me përgjegjësi të madhe, jo vetëm për shëndetin, por dhe për shoqërinë. Të mos bëhemi ne me duart tona, ata që mbyllim përsëri dyert e shtëpive, të lokaleve, të bizneseve, të makinave dhe mbeten peng i papërgjegjshmërisë, i përqeshjes së një rreziku që është real. Sot je mirë, nesër je me tub dhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, – larg qoftë, – pasnesër nuk je fare.

Nga ana tjetër, falë personalisht ministres së Shëndetësisë, një nënë që e ka harruar familjen, vajzat e saj dhe që qëndron në krye të detyrës, ditë e natë e patjetër falë edhe të gjithë skuadrës së saj, sot bluzat e bardha nuk kanë hallet mbi hall të mungesës së mjeteve për të luftuar. Janë të mirëpajisur, janë të shpërblyer brenda mundësive tona më së miri, janë të mbështetur nga një sistem i tërë, që është i fortë sot dhe është i gatshëm për të përballuar rritjen e numrave, që është e pashmangshme dhe rritjen e shtrimeve, që është e pashmangshme.

Fatkeqësi e madhe, por nuk është ky vendi për ta shtjelluar se si zëra që janë me mikrofon dhe që amplifikohen për shkak të detyrës përmes burimit të informacionit flasin për mungesë kapacitetesh nëpër spitale, tregojnë një realitet të frikshëm që nuk ekziston, sikur spitalet tona janë tejmbushur dhe njerëzit lihen korridoreve që të vdesin. Fatkeqësi e madhe shumë!

Ndërkohë që sot, dy spitalet tona janë ende me kapacitete të lira që po shkojnë duke u zvogëluar, por janë dy struktura të reja që presin në rast se do të kemi nevojë. E në rast se do të kemi përsëri nevojë, janë të gatshme strukturat sipas qarqeve ku do të jetë nevoja e jo vetëm godina, jo vetëm shtretërit, jo vetëm respiratorët, jo vetëm medikamentet, por edhe të tërë ata që duhet të marrin përsipër pozicionin në vijën e zjarrit në cilido pavijon që do duhet të hapet. Janë mjekë, infermierë që trajnohen rregullisht, stërviten rregullisht për të qenë gati, njësoj siç trajnohen dhe stërviten Forcat e Armatosura për të qenë gati, në rast se vjen thirrja për t’u nisur në front

Parafytyroni për një moment sikur larg qoftë, ky mallkim të kishte ardhur disa vite më parë, kur jo medikamente të sofistikuara, por as aspirina nuk kishte në spital; ku jo respiratorë, por as çarçafë nuk kishte mjaftueshëm në spital; ku jo intubim me fjalën e fundit të shkencës, por as gërshërë të sterilizuara për të prerë trupin për një operacion nuk kishte në spital, se çfarë do kishte ndodhur këtu.

E them këtë sepse është shumë e rëndësishme që ta nënvizoj me krenari që sot, në Shqipëri, askujt që ka nevojë për t’u trajtuar në spital dhe për t’u marrë në mbrojtje nga mjekët prej rrezikut të këtij armiku të padukshëm, nuk i mungon asnjë nga ato që ka në spital një qytetar amerikan, një qytetar francez, një qytetar italian, një qytetar i një vendi europian, që nga kushtet deri tek medikamentet. Nuk ka asnjë medikament sot, në asnjë vend, që i është shtuar listës së medikamenteve që përdoren për të mbrojtur njerëzit në rrezik, që nuk është sot, në Shqipëri, në spitalet COVID dhe që nuk është në një sasi të garantuar deri në fund të luftës. Nuk ka.

Ne e dimë, ne nuk jemi Shtete e Bashkuara, nuk jemi Anglia, nuk jemi as Franca, as Italia, jemi Shqipëria. Kemi dobësitë tona, por vetëdija e dobësive tona na ka bërë të jemi ditë e natë të angazhuar që të mos biem  pre e tyre në këtë luftë për jetë a vdekje. Nuk mundet të diskutojmë sot maskën. Nuk diskutohet që është bezdi e madhe të mbash maskën këtu në këtë diell të mrekullueshëm e në këtë hapësirë kaq të madhe dhe të lirshme, por ja që maska ndihmon secilin prej nesh, qoftë si kujtesë që këtu ka një problem, që këtu nuk jemi vetëm ne e ndërkohë që ne mblidhemi, ndërkohë që ne shihemi në rrugë, ndërkohë që ne komunikojmë, ndërkohë që ne ulemi aty ku ulemi, ndërkohë që ne shkojmë në restorant dhe në bar, është edhe dikush tjetër që ne nuk e shohim, që vjen vërdallë dhe që kërkon të hyjë në trupin tonë për të bërë hatanë. Të thuash që ky nuk ekziston do të thotë të mos jesh fare në terezi nga respiratori i kokës. Do të thotë që koka nuk e furnizon gojën me elementët që i duhen për të mos qenë burim marrëzie.

Edhe një herë, shumë faleminderit atyre që po bëjnë këtë luftë në vijën e zjarrit!

Shumë faleminderit të gjithëve ju, drejtuesve të lartë dhe anëtarëve të familjes së madhe të engjëjve mbrojtës të Shqipërisë  dhe popullit shqiptar, Forcat e Armatosura!

Shumë faleminderit të gjithë të pranishmëve, që janë atashe ushtarakë në vendin tonë!

Shumë faleminderit vendeve mike!

Shumë faleminderit Shteteve të Bashkuara dhe Zoti e bekoftë miqësinë tonë me të gjithë ju! Fat, shëndet për ju dhe familjet tuaja! Jam i bindur që bashkimi ynë është garancia se në fund, këtë luftë do ta fitojmë ne, do ta fitojnë njerëzit, do ta fitojë jeta, do ta fitojë shëndeti, nuk do ta fitojë ky armik i padukshëm që, mesa duket, do të rrijë dhe ca kohë vërdallë, por më herët se vonë do të jetë i nënshtruar.​

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politike

Meta nuk përmbahet para Konventës: Hajde hipim tek hekuri dhe bëjmë intervistë! Edhe Partinë Komuniste të Kinës e mundim

Në nisje të Konventës së Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha një prononcim me gazetarët.

‘Të gjithë ata që do punojnë me Metën do jen si kjo dhe Lefter Maliqi. Sikur të gjithë punojnë si kjo që ka fëmijë për të rritur. E cila punon sa 20 burra bashkë nga ata që presin poste nga qielli. Përballë një regjimi mafioz dhe partinë komuniste të Kinës e mundim edhe do ta mundim. A ke hipur atje te ai hekuri. Kush e ka gënjer Mionika.

Si largohet Monika është deputet. Është deputete dhe mund të zgjidhet deputete se herë të dojë. Besoj se ka mbi 20 mijë vota dyfishin e Boçit. Është anëtare. Do i japim fund nepotizmit, pasi e solli LSI në atë situatë dhe ndihmoi mafien për fat të keq të kapi pushtete. Kjo nuk është konventë kundër Monikës, por për 5 prioritetet. Kur ti hipësh atje bashkë me Osmanin ke të drejtë të më ndërpresësh.

Sa vjeç je? 29 dhe akoma nuk ke hipur. Atje do ta bëjmë intervistën pas 2 muajsh. Ka punë tha ai dhe ska profesionistë ai tarrallaku. I mori vulën doktorit do t’ja marri dhe LSI.

Nepotizmi është problem i madh për shoqërinë tonë. 500 lidhje nepotike në tatime dhe dogana. Kryemadhi më e mbrojtura nga neni ndaj nepotizmit. Është ish kryetare e partisë është anëtare e KPD-së, është deputete mund të jetë dhe nesër. Në Kryesi jemi të dy të barabartë. Nuk dinte Stalini, t’u shpëtonte jetën djalit që e morën peng gjermanët, çfarë i tha Stalini gjeneralëve. Hitleri kërkon von Paul gjeneralin si shkëmbim dhe ne do ta shkëmbejmë me Vasilin. Po ju në cilin akademi keni mësuar  u tha që një gjenral shkëmbehet me një kapterr. Rregullat e luftës nuk ndryshohen gjatë luftës. Nuk iu dhimbset djali im më shumë se mua. Si do kisha moral tu mbaja nënave që humbën bijtë në luftë. A e dini budalla Churchillin që çoi çunin në Jugosllavi tek Tito? Askush, nepotizimi është problem i madh në Shqipëri. Problemi ynë është që nepotizmi tek LRI, e cila do jetë organizata më e fuqishme për 2 muaj. Kam një mesazh për këta të rinjtë që çohen vonë, nuk bëjnë stërvitje, që nuk hipin atje’, deklaroi Meta.

Continue Reading

Politike

Meta ironizon Bashën: Nuk fitohet duke fjetur gjumë, as duke shumëzuar 7×7=42

Meta përshëndeti delegatët e Konventës në nisje të punimeve në Pallatin e Kongereseve. Ai nuk la pa bërë ironi me Lulzim Bashën. Duke marrë si shembull fitoren e Bashkuë Fitojmë në bashkitë e Fushë Arrëzit dhe Pukës, Meta tha se nuk fitohet duke fjetur gjumë dhe duke shumëzuar 7 herë 7.

‘Më thotë Mondi a mund të shoqëroj! Faleminderit që më ke shoqëruar me besnikëri këto 26 vite. Bëhu gati të bëjëm stërvitje bashkë të më shoqërosh edhe 26 vite të tjera. Kisha një lutje. Të çohemi në këmbë për atë vajzën e Fushë Arrëzit dhe delegatët e Fushë Arrëzit dhe Pukës që fituan kundër mafies. E puthe edhe Rrokun kryetarin e Pukës dhe Hilën dhe Bert Malaj e Memaliajn. Ashtu fitohet. Nuk fitohet duke fjetur gjumë dhe as duke numëruar dhe shumëzuar 7 herë 7, 42’, tha Meta.

Continue Reading

Politike

Parashikimi i Arian Currit: Meta arrestohet sot pas Konventës, rrugës drejt ballkonit të Berishës

Analisti Arian Curi ka deklaruar në studion e emisionit “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1 se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të arrestohet pas Konventës së kësaj force politike që do të mbahet ditën e sotme.

Sipas Curit, Meta ka dhënë disa mesazhe të koduara me akuzat në drejtim të SPAK-ut dhe kreut të saj Altin Dumani.

Për këtë arsye, sipas Curit, Meta ka informacione se do të arrestohet nga SPAK, ndërsa shtoi se kryeministri Rama nuk do të jetë i pranishëm në Shqipëri.

Thashethemet e politikës dhe SPAK-ut janë që Ilir Meta pas Konventës arrestohet direkt. Bëhet fjalë për disa orë pas Konventës.

Mundet që ta arrestojnë rrugës për në hotelin e një mikut të tij ose rrugës për në Ballkon. Ka disa mesazhe të koduara të Ilir Metës.

Sepse ne na intereson të ç’kodojmë ato që nuk thuhen. E para, ai është një reagim që pas informacioneve që Ilir Meta ka se do të arrestohet dhe vë bast këtu se ditën që Ilir Meta do të arrestohet Edi Rama nuk do të jetë në Shqipëri, do të jetë në një vend tjetër. Do të stisë një vizitë”, u shpreh Curi.

Continue Reading

Politike

Nis në Pallatin e Kongreseve dhe mbyllet te shtëpia e Berishës, detaje nga Konventa

Partia e Lirisë, mbledh forumin më të lartë, Konventën Kombëtare që sipas kryetarit Ilir Meta, do të ketë ndryshime rrënjësore ku një prej tyre është statuti nga ku pritet të njihen fraksionet.

Në garë për kreun e Partisë së Lirisë do të jetë vetë ai aktuali, Ilir Meta, përballë Faik Basha, kryetar i degës në Kamëz dhe Myrvete Asqeri, dhe në kuadër të riorganizimit nuk do të ketë kryetar, por president partie, një zv.presidente, dhe një sekretar i Përgjithshëm.

Përkatësisht, për numrin zv.president, është emri Erisa Xhixhos e cila do të mbajë edhe postin e sekretares politike për qarkun Tiranë dhe të sekretarit të të Përgjithshëm Tedi Blushi, njeherësh edhe sekretar politik i qarkut Korçë.

Gjithashtu, në konventë do të votohen 18 emrat e kryesisë së re, listë të cilën e kryeson: Edmond Haxhinasto, kryetar i Komitetit drejtues Kombëtar, më pas vjen Ilir Meta, kryetar e me radhë zëvendës kryetarët dhe dy nënkryetarët.

Konventa është e dyta në një hark kohor dy-vjeçar, pasi me 25 korrik 2022, pas përmbushjes së mandatit kushtetues si kryetar shtetit, ish- presidenti Ilir Meta u rikthye në LSI, ku pasi u votua si kryetar ndërroi emrin në “Partia e Lirisë”.

Continue Reading

Politike

S’përmbahet Berisha, thirrje Italisë: Rama mund të vr*asë gazetarët e RAI-t, duhet t’i merrni nën mbrojtje

Sali Berisha iu bën thirrje autoriteteve italiane të marrin masat më të forta të sigurisë për gazetarët e ekipit të “Report RAI 3”, sipas tij, “për t’i mbrojtur nga ndonjë sulm plotësisht i mundshëm hakmarrës i mafies shqiptare që kontrollohet nga Edi Rama”.

Përmes një deklarate, Berisha e “siguron Edi Ramën se do përgjigjet personalisht për çdo sulm që mund të porositë ndaj gazetarëve guximtarë që denoncojnë lidhjet e tij mafioze dhe veprat e tij okulte”.

“Nga dita e shfaqjes së dokumentarit deri sot, Edi Rama duke e ditur se asnjë provë përvëluese nuk kundërshton dot me Gjykatë, ka ndërmarrë një sulm agresiv me kërcënime, sharje dhe shpifje kundër gazetarëve italianë dhe kolegëve të tyre shqiptarë, që kanë komentuar përmbajtjen e dokumentarit të RAI 3.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe lidhjet me mafien, drogën dhe krimin të klanit mafioz Rama, në krye të qeverisë dhe dënon gjithashtu me forcë fushatën e sulmeve, shpifjeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve italianë dhe shqiptarë që ia thonë të vërtetën publikut të vendeve të tyre.

Partia Demokratike iu bën thirrje autoriteteve italiane të marrin masat më të forta të sigurisë për gazetarët e ekipit të “Report RAI3”  për t’i mbrojtur nga ndonjë sulm plotësisht i mundeshëm hakmarrës i mafies shqiptare që kontrollohet nga Edi Rama, sikundër e siguron Edi Ramën se do përgjigjet personalisht për çdo sulm që mund të porosite ndaj gazetarëve guximtarë që denoncojnë lidhjet e tij mafioze dhe veprat e tij okulte”, thuhet në një deklaratë të Rithemelimit të Berishës

Continue Reading
Advertisement

TRENDING