Politike
Berisha viziton familjen e të ndjerit Lear Kurti
Kreu Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur këtë mesditë në ambientet e shtëpisë funerale te rruga e Dibrës në Tiranë për të ngushëlluar familjarët e 32-vjeçarit, Laer Kurti, i cili gjeti vdekjen pasi u shoqërua nga Policia mbrëmjen e djeshme.
Atij i ishte bërë thirrje të ndalonte për kontroll të dokumenteve, por Kurti i ishte larguar policisë vetëm për t’u kapur më pas në rrugën “Don Bosko”.
Gjatë shoqërimit në komisariat gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur dhe është dërguar për në spital me makinën e policisë.
Këta të fundit thanë se 32-vjeçari ndërroi jetë në tek Trauma, deklaratë që më vonë u përgënjeshtrua nga vetë spitali.
“Pacienti me iniciale L.K. ka ardhur pa shenja jete ne spital. Ne raste te tilla spitali Universitar i Traumës njofton Morgun Tiranë dhe me pas procedura per ekspertizen mjekoligjore ndiqet prej tyre”, ka bërë me dije Spitali i Traumës.
Sipas njoftimit të fundit të AMP-së dhe Prokurorisë në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila dyshohet se ishte e mbushur me lëndë narkotike dhe është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit.
Patrulla e policisë i ka kërkuar Kurtit që të japë një mjet identifikimi, por ai ka vrapuar duke u larguar 200 metra më tej ku edhe është kapur.
Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës.
Policia këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm në shoqërimin e Kurtit edhe pse në duart e tij ka shenja, të cilat AMP thotë se i janë shkaktuar në momentin e prangosjes.
Tashmë pritet një përgjigje e ekspertizës për të mësuar shkaqet që çuan në humbjen e jetës, teksa aludimet kanë qenë të shumta, nga kriza epileptike e deri tek dhuna e ushtruar ndaj tij nga efektivët.