Kronike
Serbia ‘ngre’ alarmin
Autoritetet serbe thanë se kanë ngritur të martën avionët ushtarak pasi, siç u tha, dronë vëzhgues u panë në afërsi të kufirit të Serbisë me Kosovën, ndërsa autoritetet në Prishtinë i cilësuan pretendime të pavërteta që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
Kryeministrja serbë, Ana Bërnabiç tha se “fluturake pa pilot kanë vëzhguar dhe regjistruar në zonën tokësore të sigurisë dhe dy kazerma të ushtrisë serbe dhe presidenti ka urdhëruar forcimin e sigurisë ajrore”, duke ju referuar njoftimeve për angazhimin e avionëve Mig-29.
“Nëse përsëritet një gjë e tillë ne do ta rrezojmë çdo fluturake të tillë”, tha kryeministrja serbe.
Nuk pati ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të NATO-s që kanë shtuar kontrollet në veriun e Kosovës për të “ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt”.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, në një postim në rrjetet sociale hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe duke theksuar se ato synojnë krijimin e një “preteksti për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.
Njoftimet e tilla u bënë pak kohë pasi u tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie për shkak të situatës në Kosovë në ditën kur autoritetet filluan zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.