Connect with us

Kronike

Malazezët protestojnë për zgjedhjet e reja

Për të tretën herë gjatë këtij muaji, para Parlamentit të Malit të Zi u mbajt protestë me sloganin “Ne ekzistojmë”, ku morën pjesë mijëra qytetarë të cilët kerkojne tërheqjen e amendamenteve të Ligjit për presidentin, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme parlamentare.

Në protestën e mbajtur më 28 nëntor, protestuesit kënduan himnin kombëtar të Malit të Zi, bartën flamuj të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian si dhe pankarta me mesazhe sikurse “Për Malin e Zi, për BE-në”, “Nacionalizmi është i shfrenuar dhe aty bie Kushtetuta”, “Nuk do t’i bëjmë gati”.

Organizatorët thanë se Mali i Zi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë në shitje. Protestuesit i thanë kryeministrit të Qeverisë në detyrë, Dritan Abazoviq, se hyrja e Malit të Zi në nismën rajonale Ballkani i Hapur, do të ishte e papranueshme dhe se Mali i Zi duhet të hyjë në BE dhe jo në “botën fantazmë serbe”, siç e quajtën ata këtë nismë rajonale.

Në protestë u dëgjuan brohoritje kundër Abazoviqit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Protestat në Mal të Zi po mbahen për shkak të krizën politike, pas rrëzimit të Qeverisë së Abazoviqit në gusht të këtij viti.

Opozita, e udhëhequr nga partia e Gjukanoviqit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një qeveri e re që do të udhëhiqej nga Miodrad Llekiq, që ka mbështetjen e kësaj partie.

Mali i Zi po ashtu ka të bllokuar Gjykatën Kushtetuese, pasi që nga shtatori nuk ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Pa kuorumin e këtij institucioni nuk mund të shpallen rezultatet përfundimtare në rast të mbajtjes së zgjedhjeve.

Advertisement