Connect with us

Rajon

Zjarret masive në Serbi, shpërthejnë teoritë: Pajisja ndezëse u lëshua nga Kosova

Pretendimet për një pajisje ndezëse të lëshuar nga Kosova janë përhapur në media dhe rrjete sociale, ndërsa autoritetet serbe vijojnë hetimet. Policia e Kosovës i ka mohuar akuzat.

Një sërë zjarresh që kanë përfshirë zona të ndryshme të Serbisë kanë nxitur, krahas përpjekjeve për shuarjen e flakëve, edhe teori dhe pretendime të pakonfirmuara për shkaqet e tyre.

Një nga pretendimet më të bujshme është ai për një pajisje ndezëse të cilësuar si “top zjarri”, që dyshohet se është lëshuar nga Kosova me synim shkaktimin e zjarreve në territorin serb.

Pretendimi u publikua fillimisht nga media proqeveritare serbe më 23 gusht dhe u përhap më pas në rrjetet sociale. Një ditë më vonë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se ishte gjetur një “armë me parashutë”.

Megjithatë, deri tani nuk janë bërë publike prova që tregojnë se objekti është lëshuar nga Kosova apo se ka qenë një pajisje e destinuar për të shkaktuar zjarr.

Pamjet e publikuara tregojnë një objekt që ngjan me një sondë meteorologjike, megjithëse duket se i mungojnë disa prej komponentëve tipikë të këtyre pajisjeve. Autoritetet serbe nuk kanë dhënë deri tani detaje të tjera mbi hetimin dhe origjinën e objektit.

Policia e Kosovës ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke deklaruar se autoritetet e Kosovës nuk kanë përdorur apo lëshuar një pajisje të tillë.

Ndërkohë, edhe zjarri në zonën e shkretëtirës së Delibllatit ka nxitur diskutime dhe teori të ndryshme. Pas një vizite në zonë, Vuçiç e cilësoi mënyrën e përhapjes së zjarrit si “të çuditshme”, duke thënë se një situatë e tillë mund të ushqejë teori konspirative.

Ekspertët dhe autoritetet lokale kanë ofruar një tjetër shpjegim, duke vënë në dukje ndikimin e erërave të forta dhe të ndryshueshme në përhapjen e flakëve.

Advertisement